Izraeli publikon emrat e 95 palestinezëve që pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes
Ministria e Drejtësisë e Izraelit publikoi emrat e 95 palestinezëve që pritet të lirohen të dielën në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, raporton Anadolu.
Lista përfshin femra dhe të rinj deri në moshën 25 vjeç.
Në listë është edhe Khalida Jarrar, një udhëheqëse e shquar e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës dhe anëtare e Këshillit Legjislativ Palestinez, parlamentit palestinez.
Lista përfshin gjithashtu gazetaren Bushra Al-Taweel, e cila u lirua në një shkëmbim të mëparshëm të të burgosurve në vitin 2011 midis Hamasit dhe Izraelit. Ajo është vajza e liderit të lartë të Hamasit, Jamal Al-Taweel, i cili shërbeu si kryebashkiak i qytetit të Al-Bireh në Bregun Perëndimor.
Në mesin e grave që do të lirohen është edhe Dalal al-Arouri, motra e Saleh al-Arouri, nënkryetarit të Hamasit, i cili u vra nga Izraeli në janar të vitit të kaluar.
Më herët gjatë ditës, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kabineti i sigurisë miratoi marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve dhe armëpushimit.
Katari njoftoi marrëveshjen prej tre fazash të mërkurën për t’u dhënë fund sulmeve izraelite që zgjatën mbi 15 muaj në Rripin e Gazës, duke vrarë afro 47 mijë njerëz dhe duke lënë enklavën në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste në nëntor për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.