Izraeli “nuk do të lejojë” që palestinezët e zhvendosur të kthehen në Gazën veriore

Ushtria izraelite ka në plan të parandalojë kthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre në veri të Gazës, transmeton Anadolu.

Gazeta izraelite ‘Yedioth Ahronoth’ raportoi se ushtria izraelite “zhvendosi me forcë rreth 65 mijë nga 70 mijë banorë në qytetin e Gazës, derisa disa mijëra civilë mbeten në strehimore të mëdha si shkolla dhe klinika”.

“A do të lejojë ushtria izraelite që dhjetëra mijëra palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Jabalia dhe në qytetet përreth, edhe pse shumë prej tyre janë shkatërruar? Ose do t’i pengojë ata të kthehen në shtëpitë e tyre në Jabalia dhe qytetet përreth?”, shkroi gazeta izraelite.

Sipas gazetës, ushtria izraelite vlerëson se rreth 100 persona të armatosur akoma janë të ngulitur në qytetet veriore Jabalia, Beit Lahia dhe Beit Hanoun.

Gazeta izraelite tha se Tel Avivi vitin e kaluar pengoi 1 milion palestinezë nga qyteti Gaza të kthehen në pjesën jugore të enklavës.

“Ushtria izraelite, nën udhëheqjen politike, do ta lërë të tretën e sipërme veriore të Rripit të Gazës si një zonë të copëtuar dhe të braktisur”, tha gazeta izraelite.

Që nga 5 tetori, Izraeli ka nisur një operacion tokësor në shkallë të gjerë në Gazën veriore për të parandaluar ri-grupimin e grupit të rezistencës palestineze Hamas. Megjithatë, palestinezët e akuzojnë Izraelin se kërkon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.

Që atëherë, asnjë ndihmë e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantet, nuk është lejuar në zonë, duke e lënë popullsinë e mbetur atje në prag të urisë.

Operacioni tokësor ishte episodi i fundit në luftën brutale izraelite ndaj Rripit të Gazës, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 45 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Për veprimet në Gaza, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button