Izraeli: Me Hamasin nuk është arritur ende dakordim për zgjidhjen e krizës

Izraeli tha se nuk është arritur dakordim me Hamasin për zgjidhjen e krizës për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimin e pengjeve, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, u mohuan pretendimet e paraqitura në mediat egjiptiane në lidhje me zgjidhjen e krizës për armëpushimin.

“Deri më tani nuk është arritur dakordim për zgjidhjen e krizës me Hamasin”, thuhet në deklaratë.

Lidhur me pezullimin e dorëzimit të pengjeve izraelite nga Hamasi në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, pretendohet se “çdo lajm për suksesin e palëve ndërmjetësuese në zgjidhjen e krizës është i rremë dhe i pabazuar”.

Kanali televiziv egjiptian “Al-Qahira Al-Ekhbariya” në lajmin e saj të bazuar në një zyrtar egjiptian të paidentifikuar, raportoi se “Përpjekjet e Egjiptit dhe Katarit për të kapërcyer pengesat e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza kanë qenë të suksesshme dhe palët janë të vendosura për zbatimin e armëpushimit”.

– Vendimi i Hamasit për të pezulluar shkëmbimin e pengjeve

Abu Obaida, zëdhënësi i Brigadave Kassam, krahu ushtarak i Hamasit tha se shkëmbimi i pengjeve i cili pritej të bëhej më 15 shkurt është pezulluar me arsyetimin se Izraeli nuk i ka përmbushur angazhimet e tij në marrëveshjen e armëpushimit.

Në deklaratën e Hamasit thuhet se vendimi i pezullimit u njoftua pesë ditë përpara shkëmbimit të pengjeve dhe se në këtë mënyrë vendeve ndërmjetëse u është dhënë mundësia për të ushtruar presion ndaj Izraelit për t’iu përmbajtur kushteve të armëpushimit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se nëse të gjithë të burgosurit në Gaza nuk lirohen deri në mesditën e së shtunës, armëpushimi duhet të anulohet, duke shtuar “Pastaj le të shpërthejë ferri”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërcënoi se “armëpushimi do të përfundojë dhe sulmet e dhunshme do të fillojnë” nëse pengjet izraelite nuk lirohen dhe urdhëroi ushtrinë të dërgojë përforcime brenda Gazës dhe përreth saj.

Pasi vendet ndërmjetësuese u angazhuan për heqjen e pengesave të Izraelit lidhur me marrëveshjen e armëpushimit, Hamasi njoftoi sot se do të vazhdojë të zbatojë marrëveshjen ashtu siç është nënshkruar në mënyrë që të përfshijë edhe shkëmbimin e pengjeve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button