Izraeli heq akuzat ndaj 5 ushtarëve të akuzuar për sulm seksual ndaj një të arrestuari palestinez

Prokuroria ushtarake izraelite ka anuluar aktakuzën ndaj pesë ushtarëve të akuzuar për sulm seksual ndaj një të arrestuari palestinez në burgun famëkeq Sde Teiman në jug të Izraelit, transmeton Anadolu.
“Në dritën e zhvillimeve të rëndësishme që kanë ndodhur që nga paraqitja e aktakuzës në çështjen ‘Fusha e Jemenit’, prokuroria ushtarake ka vendosur sot të anulojë aktakuzën”, tha ushtria izraelite.
Rasti i torturës daton nga korriku i vitit 2025, kur ushtarë izraelitë torturuan dhe abuzuan seksualisht një të burgosur palestinez në qendrën e ndalimit Sde Teiman, duke i shkaktuar lëndime serioze dhe një çarje në rektum.
Më herët, media izraelite, përfshirë transmetuesin publik KAN, pretenduan se Izraeli e liroi të burgosurin e torturuar më 13 tetor të vitit 2025 dhe e dërgoi në Rripin e Gazës si pjesë e një grupi të burgosurish të liruar në kuadër të një marrëveshjeje me grupin palestinez Hamas.
Sde Teiman, që në arabisht do të thotë “Fusha e Jemenit”, është një bazë ushtarake izraelite në shkretëtirën Negev në jug të Izraelit.
Hetuesit atje janë bërë të njohur për abuzime fizike dhe seksuale ndaj të arrestuarve palestinezë nga Gaza, deri në atë pikë sa vendi është quajtur “Guantanamo e Izraelit”, në referencë me qendrën famëkeqe të ndalimit të SHBA-së.
Sipas mediave palestineze dhe izraelite dhe raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut, burgu Sde Teiman ka qenë vend i shkeljeve të shumta ndaj të arrestuarve palestinezë, përfshirë rrahje të rënda, kufizime të zgjatura dhe neglizhencë mjekësore, që kanë shkaktuar edhe vdekje.



