Izraeli falënderon SHBA-në për sanksionimin e organizatave të të drejtave palestineze

Ambasadori i Izraelit në OKB tha se mirëpret vendimin e Uashingtonit për të vendosur sanksione ndaj tre organizatave të njohura palestineze për të drejtat e njeriut. “Organizatat palestineze kanë vepruar jo vetëm kundër nesh, por edhe kundër Shteteve të Bashkuara dhe gjithë Perëndimit,” u shpreh ai.
Edhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, u shpreh mirënjohës ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, për vendimin e Uashingtonit për të sanksionuar tre organizata palestineze.
Sa’ar tha se “Gjykata Ndërkombëtare Penale është ndihmuar nga organizatat palestineze në fushatën e saj të politizuar kundër nesh.”
Shtetet e Bashkuara shtuan tre organizata palestineze të të drejtave të njeriut në listën e sanksioneve për shkak se “janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetasit izraelitë, pa pëlqimin e Izraelit.”
Qendra Palestinene për të Drejtat e Njeriut (PCHR), Al-Haq dhe Qendra Al-Mezan për të Drejtat e Njeriut u përfshinë të enjten në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së “Personat e Përcaktuar në Mënyrë të Veçantë dhe Persona të Bllokuar”.