Izet Mexhiti: Fillojmë luftën kundër mafies së lojërave të fatit – ky është vetëm fillimi!

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mbajti një konferencë për media ku shpalli fillimin e një lufte të ashpër kundër industrisë së lojërave të fatit në vend.

“Jam sot para jush për ta informuar opinionin publik se industria e kazinove, e cila prej kohësh ishte shndërruar në ndërmarrje kryesore fitimprurëse në vendin tonë, tani po përjeton një goditje serioze. Sot fillojmë vendosjen e rendit dhe çrrënjosjen e së keqes që na e la si ‘dhuratë’ qeveria e mëparshme,” deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se qeveria dje e ka miratuar Propozim-ligjin për lojërat e fatit, duke e quajtur këtë një hap shumë të rëndësishëm në luftën kundër mafies së lojërave të fatit, për të cilën, sipas tij, është zotuar qysh nga dita e parë e marrjes së funksionit si Zëvendëskryeministër i parë.

Në vijim, fjalimi i tij i plotë:

“Ne kemi trashëguar një shoqëri ku bixhozi ishte në lulëzim, kazinotë dhe bastoret ishin hapur në çdo cep. Sot, në territorin e gjithë shtetit funksionojnë së paku 1500 qendra për bixhoz, bastore dhe aparate të lojërave të fatit. Për fat të keq, paraardhësi im ishte personalisht i përfshirë në zgjerimin e këtij biznesi fitimprurës për mafien, por shkatërrues për familjet.

• Me Propozim-ligjin e miratuar dje nga Qeveria, që në fillim do të reduktohet prania e kësaj katastrofe kolektive për së paku 70%! E theksoj – KJO ËSHTË VETËM FILLIMI! Nga mbi 7.000 aparate VLT, me goditjen e parë do të hiqen 4.000;
• E ndalojmë reklamimin e lojërave të fatit;
• Kazinotë nuk do të jenë më të pranishme nëpër vendbanime, qytete dhe fshatra siç është rasti sot;
• Do të largohen klubet dhe bastoret që organizojnë bixhoz, dhe të gjitha format tjera të objekteve të bixhozit do të duhet të jenë të paktën 500 metra larg nga shkollat;
• Rrisim taksat dhe detyrimet për ta vështirësuar procedurën e hapjes së bastoreve. Në krahasim, në qeverinë e kaluar, me një licencë kompanitë hapnin një numër të pakufizuar objektesh. Kjo më nuk do të jetë e mundur.

Të dashur qytetarë,
Lufta kundër industrisë së bixhozit është një betejë e vështirë dhe e rrezikshme. Bëhet fjalë për një strukturë të organizuar mirë me natyrë kriminale, që i tejkalon kufijtë shtetërorë dhe nuk njeh barriera – as politike, as etnike, as kombëtare, as fetare. Mafia e bixhozit është kanceri i shoqërisë sonë – ajo premton lumturi, por sjell vetëm fatkeqësi! Dhe pikërisht këtë strukturë na e la në trashëgimi qeveria e mëparshme!

Megjithatë, dua t’ju siguroj se rezultatet e para konkrete nga kjo luftë e vendosur kundër industrisë kriminale të bixhozit dhe lojërave të fatit tashmë kanë filluar të shfaqen.
Muajin e kaluar kemi filluar mbylljen e qindra faqeve ilegale online të bixhozit që ofronin shërbime në vendin tonë. Deri më tani kemi mbyllur mbi 200 faqe të tilla, të cilat në heshtje – si një kancer – kishin filluar të infektojnë çdo familje, çdo fshat, çdo vendbanim, çdo qytet.

Nëse deri dje kishim kazina pranë shkollave, pranë shtëpive, në jetët e fëmijëve tanë – sot vendosim rend, ligj dhe dinjitet.
Deri dje, qeveria e kaluar ndërtonte një perandori bixhozi mbi varfërinë dhe dëshpërimin e shqiptarëve.
Sot, qeveria jonë i shemb ato perandori kriminale dhe ndërton të ardhmen.

Për fat të keq, qeveria e kaluar luante bixhoz me fatin e shqiptarëve. E shndërroi varfërinë në biznes, dëshpërimin në votë. Ajo periudhë ka përfunduar. Qeveria e re nuk është pjesë e sistemit të vjetër. Ne nuk flasim me fjalë boshe – qeveria jonë vepron. Kjo është një betejë për të ardhmen, për fëmijët tanë, për rininë tonë, për familjet tona.

Kazinoja nuk është zhvillim – është shkatërrim.
Kazinoja nuk është përparim – është plagë.
Kazinoja nuk është ekonomi – është krim.
Do ta çrrënjosim këtë sistem, deri në rrënjë. Kjo është ndryshimi që e kemi premtuar si Qeveri. Kjo është shteti që qytetarët tanë e meritojnë. Kjo është fillimi i një epoke të re,” deklaroi Mexhiti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button