Izet Mexhiti dhe Bajram Vardar diskutojnë rreth Master Planit që do të transformojë Çairin

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka kërkuar nga arkitekti me renome botërore Bajram Vardar, që të ndihmojë në përpilimin e Master Planit për Çairin.
Mexhiti i ka shpjeguar atij se dendësia që është në Çair nuk ekziston në regjion as në Evropë e as në Ballkan.
“Këtë e ka vetëm Stambolli, ndoshta edhe Bursa dhe disa qytete të mëdha. Ne kemi nevojë për praktika për të zgjidhur çështjen e urbanizimit, të komunikacionit dhe të infrastrukturës nëntokësore. Nga njëra anë është Gazi Baba nga tjetra Serova deri te Xhon Kenedi. Këtu është Dizhoni, është Fushë Tophana dhe Luan Haradinaj, Çairi i vjetër dhe Stadioni i SHlupit”, ka shpjeguar Mexhiti.
Ai më tej ka thënë se duhen më tepër zgjidhje për Dizhonin, Serovën dhe Gazi Babën.
“Këto janë tre segmentet më të dendura me shtëpi individuale. Na duhet gjithashtu zgjidhje për komunikacionin”, tha Mexhiti.
Nga ana tjetër, Bajram Vardar, deklaroi se të njëjtat probleme që ekzistojnë në Cair, të njëjta probleme ekzistojnë edhe në lagjen Zafer të Bursës, në Osmangazi të Bursës, në lagjen Esenler të Stambollit dhe në Bayrampasha.
“Ne jemi këtu për të punuar, do të analizojmë do të punojmë mbi të dhe më pas do t’ia shpjegojmë kryetarit dhe ekipit”, ka deklaruar Bajram.