Izet Mexhiti: Çarshia është vula e fitores sonë

Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, përmes një njoftimi ka theksuar se Çarshia mbetet zemra e Shkupit dhe simboli i lidhjes mes njerëzve, kulturës dhe të ardhmes.
“Jeta në Çarshi nuk ndalet kurrë. Edhe kur qiellin e mbulon vranësira e shiu bie rrebesh, prapë Çarshia gëlon nga zërat e njerëzve,” ka shkruar Mexhiti, duke përshkruar atmosferën e gjallë të këtij vendi historik.
Ai kujton se dyqanet e vjetra, kafetë e mbushura, muhabetet e çiltërta të tregtarëve dhe aroma e ushqimeve të veçanta e mbajnë gjallë shpirtin e Çarshisë.
“Çarshia është vendtakimi i brezave, aty ku kujtohet e kaluara, por hapërohet edhe drejt të ardhmes,” thekson Mexhiti.
Sipas tij, atmosfera e Çarshisë është frymëzim për fitoren e afërt të VLEN-it në zgjedhjet e 19 tetorit.
“Flakadani i fitores tashmë është ndezur dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalojë. Prandaj, Çarshia është vula e fitores sonë,” ka përfunduar kandidati për Çairin.