Izet Mexhiti: Çairi do të ketë ciklin më të madh të investimeve në arsim

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar programin e tij arsimor, duke e cilësuar arsimin si “themelin mbi të cilin zhvillohet shoqëria”. Ai paralajmëroi investime madhore që synojnë modernizimin e plotë të institucioneve arsimore në komunë, raporton alfax.mk.
Sipas Mexhitit, plani parashikon ndërtimin e tre çerdheve të reja, një shkolle për 1300 nxënës në Teneqe Mahallë, shkollës për fëmijë me nevoja të veçanta “Idnina”, si dhe zgjerimin e shkollave “Hasan Prishtina” dhe “Ismail Qemali”. Po ashtu, ai paralajmëroi ndërtimin e një salle sportive moderne në “Jashar Bej Shkupi”.
Në kuadër të programit, Mexhiti theksoi se çdo shkollë do të modernizohet me mësim në një ndërrim, oborre dhe salla të rinovuara, pajisje IT në çdo klasë dhe kushte të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ai paralajmëroi gjithashtu bursa për nxënësit e dalluar, libra dhe pajisje falas për nxënësit e klasës së parë, si dhe trajnime në teknologji dhe aktivitete sportive shkollore.
Në qendër të vizionit të tij qëndron kampusi universitar “Nënë Terezë”, një investim prej 40 milionë eurosh, që sipas tij do ta shndërrojë Çairin në një qendër akademike dhe zhvillimore.
“Mjetet për të gjitha këto projekte janë të siguruara. Tani është koha t’i realizojmë dhe ta bëjmë arsimin shtyllën më të fortë të zhvillimit në Çair”, theksoi Mexhiti.