Izet Mexhiti: Ali Ahmeti, ja pse je servil i Nikolla Gruevskit

Kreu i Lidhjes Demokratike, Izet Mexhiti, gjatë tubimit të VLEN-it në Tetovë, i përmendi të gjitha skandalet dhe dëmet ndaj shqiptarëve në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, për të cilat heshti Ali Ahmeti.
Mexhiti tha se Ali Ahmeti nuk lëshoi zë për enciklopedinë, për vrasjen e Harun Aliut, për projektin Shkupi 2014, për vrasjen e shqiptarëve në Lagjen e Trimave, për Stemën me luan dhe shumë e shumë ngjarje të tjera. Kjo heshtje, sipas Mexhitit, e bën Ali Ahmetin servil të Nikolla Gruevskit.
“Shokët nisën të të braktisin Ali Ahmeti, kur ia dorëzove lojën Nikolla Gruevskit dhe me kalimin e kohës u bëre i njejtë si ai”, tha Mexhiti.
Këto ngjarje, sipas Mexhitit, kanë bërë që Ali Ahmetin ta braktisin të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe ta lënë të vetmuar me Artan Grubin.
“A e ke pyetur ndonjëherë veten se pse të braktisën njerëzit e tu më të mirë dhe bashkëpunëtorët më lojal, duke të lënë të vetmuar me Artanin dhe idetë destruktive të tij”, tha Mexhiti.
Ai përkujtoi gjithashtu luftën mes Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, të cilët tani janë bashkë, por u kanë borxh shqiptarëve për të gjithë të vrarët, të plagosurit e të arrestuarit në luftën mes tyre.



