Ixhet Memeti, i akuzuari për korrupsion: Jam i pastër

I dyshuari për bashkëpunim në marrjen e mitos në vlerë prej 10.000 eurosh, Ixhet Memeti, tha se nuk e njeh djalin e Stojçevit, i cili ia ka dhënë paratë gjykatësit Georgiev.
“Unë njihem me krejt prokurorët dhe gjyqtarët, mirëpo për këso gjërash nuk kam biseduar asnjëherë. T’ia lëmë organeve të vendosin”, tha Memeti.
Memeti gjithashtu tha se sot Prokuroria nuk ka prezantuar prova për lëndën, por vetëm është vendosur për masën.
Gjatë ditës së djeshme, Memeti tha se ndjehet i pafajshëm për lëndën në fjalë.
Ndryshe, sipas elementeve dhe provave mbi të cilat bazohen dyshimet e Prokurorisë së krimit të organizuar, Georgiev dhe Memeti kanë kërkuar 10.000 euro shpërblim për ndikimin e tyre.
Memeti njëherësh paraqet profilin më të lartë të një juristi në Maqedoni të Veriut.
Ai ka qenë Ministër i Drejtësisë, Gjykatës Kushtetues, Avokat i Popullit dhe së fundi anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Biografia e tij juridike flet për përfaqësim në çdo instancë, ekzekutive, ligjvënës, por edhe si njeriu i parë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.



