Itali, greva e sindikatave të punëtorëve ndërpret transportin publik
Një grevë mbarëkombëtare nga disa sindikata të punëtorëve në Itali ka shkaktuar ndërprerjen e transportit publik, me autobusët dhe metrotë të pezulluara për katër orë dhe linjat ajrore që anuluan dhjetëra fluturime vendase dhe ndërkombëtare.
Punonjësit filluan grevën e tyre 8-orëshe në orën 09:00 me kohën lokale, duke kërkuar ndryshime në buxhetin e planifikuar të qeverisë dhe rritje të fondeve për sektorët kryesorë ekonomikë.
Sindikatat më të mëdha të Italisë kanë organizuar disa demonstrata në mbarë vendin, të cilët pritet të tërheqin punëtorë nga pothuajse çdo sektor i ekonomisë në vend. Sipas urdhëresës së ministrit të Transportit, Matteo Salvini, trenat po funksionojnë rregullisht, ndërsa punëtorët nga sistemi tjetër i transportit publik, si autobusët dhe metrotë, do të ndalin punën vetëm për katër orë.
Linjat ajrore tashmë kanë anuluar dhjetëra fluturime vendase dhe ndërkombëtare. Para gazetarëve në Bolonja, ku punëtorët po protestojnë, kreu i sindikatës më të madhe italiane CGIL, Maurizio Landini tha se ata duan ta “ndryshojmë krejtësisht këtë vend”.
“Ne kemi nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve për ta bërë këtë. Për ne, revolta sociale nënkupton të thuash se secili prej nesh nuk mund ta injorojë këtë padrejtësi”, tha Landini.
Greva është thirrur nga sindikatat e vendit për të kërkuar ndryshime në buxhetin e planifikuar të qeverisë për të cilin aktualisht po debatohet në parlament për miratim përfundimtar, për rritjen e pensioneve dhe pagave për të mbështetur fuqinë e tyre blerëse si dhe për rritjen e fondeve për kujdes shëndetësor, edukim, shërbime publike dhe politika industriale.
Sindikatat italiane po ashtu protestojnë për mungesën e veprimeve ndaj kontratave kolektive të skaduara, të cilat rregullojnë vendet e punës së miliona punonjësve.
Një ankesë tjetër e sindikatave është edhe siguria në vendin e punës, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, transportit dhe prodhimit. Për të reduktuar aksidentet dhe vdekjet në vendin e punës, sindikatat kanë avokuar për rritjen e masave parandaluese, trajnime dhe inspektime.