Itali, aksident në teleferikun e Macugnaga-s, 12 të plagosur

Një aksident në teleferikun që lidh Macugnaga-n me Qafën Moro, në veri të Italisë, ka shkaktuar plagosjen e 12 personave. Ngjarja ndodhi pak para orës 11 të paradites, në lartësinë 2.850 metra mbi nivelin e detit, në provincën Verbano Cusio Ossola.
Sipas autoriteteve, i plagosuri më rëndë ka pësuar një prerje në krah dhe është dërguar në spitalin San Biagio në Domodossola. Të tjerët, mes tyre dy fëmijë dhe një operator i teleferikut, kanë marrë dëmtime të lehta.
Shkak i aksidentit dyshohet një defekt teknik në sistemin automatik të frenimit. Dy kabinat nuk arritën të ngadalësonin gjatë afrimit në stacione dhe u përplasën me barrierat mbrojtëse, pavarësisht aktivizimit të frenimit të emergjencës.
Ekipet e shpëtimit ndërhynë me helikopterë për të evakuuar të plagosurit dhe 94 persona të tjerë që ndodheshin në zonë. Operacioni përfundoi rreth orës 14:30.
Pistat e skive janë mbyllur, ndërsa teleferiku është ndalur përkohësisht dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve. Hetimet po kryhen nga prokuroria e Verbanias për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.



