Islami në veprën “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”

Libri i Alija Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” në më shumë faqe flakëron nga dëshira e fuqishme që të shihet një Islam i dukshëm shoqëror, një Is¬lam prezent dhe efikas! Në ato dëshira të tij, Izetbegoviqi nuk pyeti për dimensionin e shenjtë të institucioneve islame, e as që dëshiroi ta shqyrtojë të shenjtën si një çështje e pashpjeguar dhe e padyshimtë. Konstatimin për Islamin tradicional: “Me të shenjtën shpj¬egohet, por e shenjtja nuk shpjegohet” Izetbegoviqi nuk dëshiroi ta regjistronte në li¬brin e tij.

Enes KARIQ*, Sarajevë

Vepra Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit[1] zë vend të veçantë kur merret pa­ra­sysh jo vetëm qëndrimi islam, por edhe ai politik dhe filozofik i Alija Izetbe­go­vi­qit. Kjo vepër është një shembull i mirë i një lënde të shkruar nga pena e një int­el­ek­t­u­ali të ng­ujuar, i cili (përderisa e ka shkruar) konsideronte se perandoria e socializmit dhe ko­munizmit do të zgjasin madje edhe disa shekuj. Në të vërtetë, Izetbegoviqi në ko­­h­ën kur e shkroi “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” komunizmin e kishte ko­­n­s­i­d­eruar si “një nga fuqitë e pashkatërrueshme (të asaj kohe)”. Të citojmë thënien e tij: “Pas rishikimit të llogarive dhe paraqitjes së argumenteve, dalëngadalë të gjitha tër­hi­qen, ndërsa në skenën e shqetësuar mbeten vetëm dy fuqi njëra përballë tjetrës dhe li­risht mund të themi që ato janë dy fuqi me shumë ndikim. Në sipërfaqe këto janë de­mokracia kristiane dhe komunizmi, ndërkaq, shikuar në thellësi, këto janë religjioni dhe materializmi”[2].

Në mes të asaj “skene të shqetësuar” Izetbegoviqi vendos ta shkruajë veprën “Is­l­a­mi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, një libër që është shprehje e guximit të tij int­e­le­k­tual, por edhe e vullnetit që duke i vënë një titull të madh, të trajtojë një temë “gl­o­b­a­le”, të cilën e shtrin në një hapësirë të gjerë “nga Mashriku deri në Magreb”.

Me sjelljet dhe me dëshmitë e tij ekzistenciale, Izetbegoviqi në këtë vepër i mbetet be­­snik pjesës më të madhe të ideve dhe qëndrimeve të tij. Megjithatë, nga disa ide dhe që­ndrime kohë pas kohe do të heq dorë, të cilën e kuptojmë nga krahasimi i kësaj vepre me disa vepra të tjera të Izetbegoviqit. Edhe për Izetbegoviqin vlen pohimi se nuk mund të pritet që njeriu në kohët turbulente të mbetet besnik ndaj të gjitha qën­d­rim­eve të tij.

Përveç kësaj, i mahnitur me veprën “Shkatërrimi i Perëndimit” të Spenglerit, Alija Izetbegoviqi në veprën e tij “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” inkorporon një theks të largët të mesianizmit dhe të paralajmërimit të rilindjes islame. Mendojmë se nuk është aspak e rastësishme që Izetbegoviqi i zgjodhi vargjet e poetit të njohur Mu­ha­med Ikbal[3] nga Xhavidname-ja si moto e veprës së tij me të njëjtin orientim ose të për­afërt, me të cilin Spengleri i zgjodhi vargjet e Gëtes.

Në “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” do ta gjejmë dëshirën e flaktë të Ize­t­be­goviqit i cili në mjaft faqe i jep hapësirë jehonës së ideve të Spenglerit nga “Shk­a­të­rr­imi i Perëndimit”.

Struktura e librit të Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” nuk le­j­on ndonjë kapërcim të thjeshtëzuar nëpër faqet e tij, sepse autori në faqet e kësaj ve­p­re, dhe me shkallë të ndryshme të suksesit, orvatet të bëjë më tepër gjëra. Së pari, ai aty-këtu (më mirë të themi, rrallë herë) ballafaqohet me atë që ai e konsideron “Islam” ose “Islam të vërtetë”, me gjendjen e myslimanëve të shekujve XIX dhe XX. Nuk ka nevojë të theksohet se Izetbegoviqi konsideroi se gjendja e atillë e myslimanëve është e pakënaqshme, e mjerueshme. E dyta, Izetbegoviqi në këtë vepër i vë në pah pi­kë­pa­m­jet e tij për Islamin kundruall sistemeve të atëhershme aktuale socialiste dhe ko­mu­ni­s­te në botë, veçanërisht në hemisferën në të cilën fjalën kryesore e kishte BRSS-ja e atë­he­r­shme. E treta, Izetbegoviqi me të kuptuarit e tij dhe komentimin e Islamit ball­a­fa­qo­het me trendet e atëhershme konkurruese, madje edhe të ndihmuara në aspektin ide­o­logjik në shkencat natyrore dhe shoqërore (ose me ato që atëherë konsideroheshin si me­toda, drejtime dhe njohuri të vlefshme shkencore), siç janë evolucionizmi, dar­vi­ni­z­mi, biologjizmi… Izetbegoviqi paraqet kritikën e tij, shpeshherë rrënuese, por në më shu­më vende edhe të thjeshtëzuar, kundër darvinizmit dhe evolucionizmit (në sferën e shkencave natyrore), si dhe kundër marksizmit (në sferën e shkencave dhe teorive sho­qërore). E katërta, vepra e Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” për­mban edhe mjaft faqe të suksesshme të pikëpamjeve të autorit nga sfera – thënë ku­s­htimisht – e filozofisë dhe teorisë së kulturës, shkencës, jurisprudencës, estetikës dhe etikës. Është e nevojshme që veçanërisht t’i veçojmë esetë e Izetbegoviqit që ua ku­­shtoi kulturës dhe qytetërimit, moralit dhe utopisë, shoqërisë dhe bashkësisë, mo­r­a­lit dhe religjionit, dresurës dhe edukimit, artit dhe religjionit, artit dhe shkencës, re­l­i­gjionit dhe revolucionit etj.

Në këtë libër ka kapituj ku mund të lexohen me dhjetëra faqe e të mos përmendet as­kund shprehja IslammyslimanKur’an dhe shprehje të ngjashme. Në lidhje me ato kapituj me temën kryesore të librit (ndërsa tema e tij është identike me titullin e tij, që është: “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”) është e nevojshme ta nxjerrim nga ilu­z­ionet e Izetbegoviqit, nga romuzet, qëndrimet, në të vërtetë nga filozofia e tij e për­gjithshme të cilën e mbarsi jo vetëm në veprën “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perë­n­di­mit”, por edhe në veprat tjera të tij.

Si ithtar i një dualizmi funksional (lexuam se më shumë pikëpamje të tij mbajnë tituj /ose nëntituj/ “dualist”: “Kultura dhe qytetërimi”, “Morali dhe utopia”, “Shoqëria dhe bashkësia”, “Morali dhe religjioni”, “Dresura dhe edukata”, “Arti dhe religjioni”, “Re­ligjioni dhe revolucioni”…), Izetbegoviqi edhe kur flet për ato tema “laike” në me­n­dimet e tij në prapaskenë ka një qëllim që njerëzimit t’ia ofrojë “Islamin si zgjidhje”, “Isl­amin si rrugë e mesme”, ose madje t’ua ofrojë atë që e konsideron si “qëndrim islam”, ose si “pikëpamje islame” ndaj gjërave të perspektivës së tij kohore. Pra, “du­a­li­zmi” i Izetbegoviqit në këto vende është vetëm me karakter funksional.

Megjithatë, diku kjo “metodë dualiste” e tejkalon autorin dhe vet esencën e gjërave të cilat dëshiroi t’i paraqiste në libër – që në disa vende kishte për pasojë karakterin artificial dhe vë¬sh¬trimin reduktues ndaj vetë temave islame.

Si është konceptuar Islami në vepër

Në faqet e veprës “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” Alija Izetbegoviqi e ndërlidh çështjen e Islamit pothuajse vetëm me njeriun. Ai pohon: “Kur’ani është libër re¬alist, pothuajse antiheroik. Pa njeriun, që e zbaton atë, Islami është i pakuptueshëm, madje, në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe i paqenë.” ”[4]

Si një intelektual i cili kishte qëndrim negativ dhe mohues ndaj teorive ezoterike dhe ndaj shkollave islame teozofike dhe atyre të tesavufit, siç duket, Izetbegoviqi i inj­o­roi mësimet e tyre se e tërë gjithësia është “myslimane” dhe “e nënshtruar ndaj Zo­tit”, si dhe trashëgiminë e tyre shpirtërore të një doktrine integrale shpirtërore e cila thotë se në Islam, gjithashtu, edhe mineralet, edhe bota vegjetative, edhe bota e gja­lle­sa­ve, si dhe ato botë janë eo ipso, pranë më shumë botëve të panumërta shpirtërore, po ashtu sipas mënyrës së tyre janë myslimane! Izetbegoviqit nuk i interesuan spekulimet e atilla, madje sado që të ishin ato me ndikim dhe me dimension shpirtëror. Në dallim prej atyre shkollave, ai Islamin e ndërlidhi në mënyrë kyçe dhe qendrore vetëm me nje­ri­un. Meqë me literaturën përmes së cilës u arsimua ishte i gatshëm për lexim ide­o­lo­gjik të Kur’anit, Izetbegoviqi në Islam vërejti një “mësim efikas” për rregullimin e kë­saj bote. “Islami nuk e idealizon aq shumë këtë botë”,[5] thotë Izetbegoviqi. Prandaj, myslimanët në këtë botë medoemos të orvaten për ta rregulluar.

Këtu, madje, qëndron një pjesë e arsyes se pse është e nevojshme, në mënyrë të ski­cu­ar, t’u qasemi përcaktimeve të Izetbegoviqit për Islamin, të cilat i dha në drejtim të eksterritorizimit/manifestimit/të kësaj feje si “teori politike dhe shoqërore” e llojit të vet. Në këtë libër të tij Izetbegoviqi paraqet mjaft përcaktime të atilla për Islamin, të pas­­i­stemuara dhe në vende të ndryshme. Kështu, duke paraqitur një pohim të tij të ve­ndosur dhe ka­te­go­rik, ku thotë se ekzistojnë “vetëm tre pikëpamje integrale ndaj bo­tës dhe më tepër nuk mu­nd ­të jenë: religjioz, materialist dhe islam”[6], ai në mënyrë im­plicite e karakterizon Is­l­a­­m­in si “pikëpamje ndaj botës”, por nuk specifikon se a është ajo pikëpamje njerëzore, hy­j­­n­o­re, engjëllore ose “ndonjë pikëpamje tjetër ndaj botës”[7]. Në këtë drejtim, Izetbegoviqi, në të njëjtën faqe të librit të tij, pohon se pik­ë­pa­mja islame dhe religjioze ndaj botës nuk ja­në identike, sepse, sipas tij, “Isl­ami është më tepër se religjion”.[8]

Se “Islami është më tepër se religjion” ekzistuan (por, edhe sot ekzistojnë) teza të refo­r­m­istëve myslimanë. Gjithashtu, autoritetet klasike myslimane islamin e kom­en­to­nin, si dhe e përcaktonin porosinë e tij edhe në drejtim të koncepteve shoqërore, sht­etërore dhe perandorake. Pra, ndër të tjerat, nuk është risi që Islami të shihet edhe si teori politike e llojit të vet, sepse Islami, me thesarin e tij simbolik, u nënshtrohet ko­m­­enteve integrale dhe në të nuk mund të gjendet në mënyrë plotësisht të qartë ajo vijë ndarëse e cila do ta karakterizonte botën në aspektin fetar si neutrale, veçanërisht jo në rajone jashtë fesë.

Por, politika nuk është primare e as parim i përhershëm i Islamit, por ajo është një mu­ndësi tërësisht sekondare (dhe historike) e Islamit. Në tekstet klasike të Ilmu‘l-kel­amit (apologjetikës islame) dhe në radhitjet e parimeve islame, politika nuk është ka­ra­kterizuar si parim i përhershëm i Islamit. Gjatë historisë së tij Islami e realizoi atë për të cilën edhe erdhi nga përjetësia: para së gjithash si fe dhe pas të gjithave si fe! Islami si fe jetoi dhe mbijetoi nën politikat dhe sistemet e ndryshme islame dhe jo-islame. Du­ke jetuar nën politikat e ndryshme islame dhe joislame, Islami nuk u shndërrua në më pak islam, e as që ka humbur nga vlefshmëria dhe freskia e tij fetare.

Fjalët e Alija Izetbegoviqit “Islami është më tepër se religjion”, shpeshherë janë për­do­rur kundër tij, përmes të cilave gjëra është dëshiruar që të diskreditohet dhe të aku­zo­het për “qëndrime integraliste” ndaj Islamit dhe shoqërive myslimane, si dhe për ko­n­trabandë të ideve që në fakt pretendojnë tezën se “ajo që në Islam është më tepër se re­li­gjion, është politika”. Çdo njëri, ashtu si edhe Alija Izetbegoviqi, ka të drejtë në ko­me­nte dhe në qëndrime personale ndaj botës dhe fesë ashtu siç dëshiron. Ato nuk ja­në dhe nuk është dashur të jenë lëndë akuzash dhe gjykimesh, veçanërisht jo ato gjyqësore.

Shikuar nga aspekti historik, është e vërtetë se Islami realizoi dhe realizon gjithçka, përv­eç si fe, dhe si sistem shoqëror, si jurisprudencë dhe, po deshëm, edhe si politikë. Por, edhe Krishterimi, Judaizmi dhe fetë e tjera botërore, në disa epoka të ndryshme si­pas mënyrës së tyre u shfaqën edhe si “politika”. Është e mundur, dhe një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet, se shumë religjione botërore do t’i fitojnë gjasat që në pjesë të ndryshme të botës, por edhe në periudha të ndryshme kohore, në të ardhmen së­r­ish, me intensitet më të ulët ose më të gjerë, do ta formësojnë realitetin shoqëror për­m­es shtetit, jurisprudencës dhe sistemeve shoqërore të llojeve të ndryshme.

Sipas kësaj, atëherë kur Izetbegoviqi e shtjellon Islamin – mes tjerash, edhe si dok­trinë politike – ai nuk bën asgjë kundër njerëzimit, e as që bën ndonjë diversion ku­ndër Islamit! Në parim, ajo sjellje e tij teorike është legale dhe legjitime, siç është leg­ale dhe legjitime sjellja e disa presidentëve amerikanë atëherë kur ata anojnë kah nd­a­le­sa kishtare ose krishtere për abortin dhe më pas e mbrojnë duke u orvatur për ina­ug­urimin e ligjeve shtetërore për sanksionimin e abortit.

Sigurisht, duhet ta kemi parasysh se me “politikë” autorët klasikë myslimanë nuk me­­ndojnë në politikën totale, në politikën si vetëm “fat i njeriut”, e as që mendojnë në ato shkathtësi rigjide të qeverisjes së disa njerëzve ndaj disa të tjerëve, por me politikë me­n­dojnë në “politikën e shenjtë”, në renditjen morale dhe në menaxhimin e çës­h­tj­e­ve të përgjithshme në bashkësitë njerëzore në harmoni me drejtësinë. Ka një dallim të madh ndërmjet përdorimit klasik të fjalës “politikë” dhe të përdorimit modern të këtij nocioni.

Ajo që është me rëndësi për detyrën e menjëhershme të parathënies në këtë libër, është mënyra sipas së cilës Izetbegoviqi e perceptoi Islamin si doktrinë politike. T’iu kthehemi përgjigjeve të vetë Izetbegoviqit. Ai në një vend thotë: “Muhammedi është dashur të kthehet nga shpella. Po të mos kthehej, ai do të mb­e­tej hanif. Pasi që u kthye, ai u bë predikues i Islamit. Ky ishte takimi i botës së bre­n­d­sh­me dhe asaj “reale”, i mistikës dhe i arsyes, i meditimit dhe i veprimit. Islami filloi si mi­stikë, ndërsa u përsos si mendim politik e shtetëror. Religjioni e pranoi botën e fak­te­ve dhe u bë Islam”[9].

Izetbegoviqi edhe këtë pasus e pozicionoi në mënyrë evolucioniste (Islami filloi me mi­stikën, ndërsa përfundon si ide politike dhe shtetërore). Pozicionit të këtillë në pa­ri­m ia zënë për të madhe jo vetëm teologjia (ose Ilmu‘l-kelami), por edhe historia e in­s­­ti­tu­ci­o­neve islame, e kulturës dhe qytetërimit islam. Në të vërtetë, themelet islame – Ku­­r’ani dhe hadithi, në parim / dhe në brendi / i përmbajnë të gjitha ato aspekte te të cilat myslimanët, përmes ixhtihadit, d.t.th. përmes përpjekjeve të shpirtit dhe inte­le­ktit, do të arr­i­jnë për t’i zbuluar gjatë historisë. Në parim, Kur’ani dhe hadithi në vete ngë­rthejnë in­sp­i­r­imet, edhe fetare, edhe etike, edhe teozofike, edhe estetike, edhe juri­di­ke, edhe po­li­ti­ke… Këto inspirime gjithnjë janë këtu, në mënyrën që njëra është para tje­rave ose njëra pas tjerave (e as që e pasojnë njëra-tjetrën), por njëkohësisht dhe sipas mënyrës hyjnore janë ruajtur, fshehur, regjistruar në tekstet e shenjta të fry­më­zu­ara…, dhe in potentio janë të hapura për realizimin dhe interpretimin e tyre, atëherë kur në shoqëritë nj­e­rë­z­o­re të paraqitet disponimi shpirtëror që do t’i orientojë njerëzit dhe epokat që në mënyrë ek­splicite t’i nxjerrin këto ose ato aspekte nga burimet e Isl­a­mit – nga Kur’ani dhe hadithi.

Më tej, Alija Izetbegoviqi me fjalët e tij “Islami ka filluar si mistikë,[10] ndërsa pë­r­f­u­n­doi si mendim politik e shtetëror”, presupozon dhe sugjeron qëllimin se ideja po­li­ti­ke dhe shtetërore në Islam është forma më e lartë e manifestimit të Islamit. Ndaj këtij mendimi dhe qëndrimi të llojit tjetër dhe llojeve të realizimit të Islamit ekzistojnë më shu­më gjëra për t’u kritikuar.[11]

Hapave të reduktimit dhe përcaktimit të Islamit si “ide politike dhe shtetërore”, Ize­tbegoviqi shumë shpejt bëri intervenime redukcioniste të mëtejshme, në të vërtetë, e kishte medoemos t’i bënte ato, sepse ai e ndoqi “logjikën e përgjithshme” të librit të tij “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Një ndër intervenimet e tij të atilla është i dukshëm edhe në pohimin se dy maksimat islame, ajo “Allahu ekber” (Zoti është më i Madhi) dhe “La il-lahe il-Allah” (Nuk ka hyjni përveç Allahut) paraqesin “një­ko­hë­si­sht edhe dy devizat me revolucionare të Islamit”.[12] Duket si problematike paraqitja dhe reduktimi i parimeve fetare dhe thënieve të shenjta të Kur’anit në “reduktime re­vo­lucionare”, deviza dhe parulla. Revolucioni si koncept nuk është i Islamit, por është shp­ikje europiane dhe perëndimore. Revolucionet europiane Sejjid Husein Nasër në një vend i quan “ulërima kundër qiejve”!

Duke qenë se në këto citate të librit të tij i shqyrtoi parimet themelore të Islamit në ko­n­tekst të parullave revolucionare, Izetbegoviqin mund ta kuptojmë, madje është edhe e njerëzishme që ashtu ta trajtojmë, vetëm në këtë kuadër. Përveç kësaj, këto shp­jegime/vlerësime/ai i bëri në kohët turbulente dhe kundërthënëse, pra atëherë kur ngja­rjet ndryshonin, ato ngjarje të cilat nga ana e jashtme e tyre sugjeronin se i vërt­e­to­jnë konkluzionet e tij teorike. Në të vërtetë, gjatë periudhës së viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit XX, në epokën e ndodhive të Katolicizmit në Poloni dhe të Isl­amit në Iran, dukej e qartë se pas revolucioneve socialiste dhe komuniste do të jetë e mundshme të ndodhin edhe revolucione të mbështetura në fe. Në të vërtetë, ko­ns­i­de­rohej se edhe feja mund të përdoret si platformë kryesore për revolucion.

Izetbegoviqi, në librat e tij, është dëshmitar i kohës së tij, ai është “i biri i kohës së tij”, siç do të vlerësonin edhe sufitë. Kundërthëniet e kohës së tij shpeshherë ndë­r­th­u­r­en me kontradikta në faqet e librave të tij. Mund të thuhet se ato kontradikta nuk janë të tija, e as që janë subjektive, por janë një “realitet subjektiv”. Derisa Izetbegoviqi e shkr­uante librin “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, duket se bota islame përj­e­to­nte një fermentim revolucionar. Dukej se kudo ishte prezent renesanca islame. Që këtu Izetbegoviqi pohon se “Islami ka marksizmin e vet personal”,[13] që d.t.th. se Isla­mi nuk ka aspak nevojë për marksizmin e Karl Marksit që është shekullar etj. Me pa­ru­llën “Islami ka marksizmin e vet personal”, Izetbegoviqi dëshiron të tregojë se Isl­a­mi i posedon resurset e tij teorike dhe revolucionare të cilat mund të shërbejnë për dhë­nien/krijimin/e formave shoqërore, sistemeve, kornizave… të cilat do të jenë në përputhje me moralin dhe drejtësinë.

Izetbegoviqi në Islam nuk vërejti vetëm inspirim revolucionar. Ai gjithashtu kon­si­de­r­on se Islami (madje në paralajmërim) është edhe demokratik: “Islami nuk njeh elitë në trajtën e kallogjerëve, murgjve, shenjtëve, as dy programe: për të zgjedhurit dhe për popullin e rëndomtë. Ky është paralajmërimi i parimit dem­ok­ratik.”[14]

Edhe këtu vërejmë Islamin e esencializuar në vepër. Islami i esencializuar ndoshta nuk njeh elitë, jo për atë se nuk ka elitë, por për atë se askund nuk ka Islam të esen­ci­al­izuar!

Shikuar nga aspekti historik, ekzistojnë më shumë realizime dhe arritje të “Islamit” – ndërsa në vetë Islamin ekzistojnë epoka – të cilat i pranuan elitat, madje pa to as që ka­­në mundur të zhvillohen. Të përkujtojmë, në Iran pikërisht një elitë e atillë islame mbi supet e veta e barti revolucionin të cilin e quajtën islamik! Në shi’izëm ekziston sht­­resa fetare në elitë “havvas” dhe në njerëz të rëndomtë “avvam” etj. Në Islamin ehli-su­nnet ekziston nocioni “nekib‘ul-eshraf”, pastaj “sejjid” etj., që gjithashtu janë lloje të the­ksuara të elitës etj., etj.

Duke ofruar një definicion të ri të Islamit, Izetbegoviqi më tej thotë se “rrethanat në të cilat u shfaq Islami mund të na ndihmojnë gjithashtu që (Islamin) ta kuptojmë më lehtë si shkencë të unitetit ndërmjet besimit dhe politikës”.[15] Këtë qëndrim të tij du­­alist (feja+politika = islami), autori e thekson që ta përgatit një qëndrim tjetër d­u­a­l­ist, por jo aq qartë të shprehur, në përbërjen e të cilëve përfshin kulturën dhe qytetërimin.

“Sipas Kur’anit – jo dhe sipas Ungjillit – Zoti e krijoi njeriun të jetë mëkëmbës në Tokë (Kur’an, 2/30). Ndërkaq, pushtetin mbi natyrën dhe botën njeriu mund ta arri­­nte vetëm me dije e punë, pra me shkencë e veprim. Me këtë fakt, si dhe me kuj­de­sin ndaj të drejtës dhe ligjeve, Islami tregoi se kërkon jo vetëm kulturën, por edhe qy­te­të­r­i­min”.[16]

Libri i Alija Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” në më shumë faqe flakëron nga dëshira e fuqishme që të shihet një Islam i dukshëm shoqëror, një Is­lam prezent dhe efikas! Në ato dëshira të tij, Izetbegoviqi nuk pyeti për dimensionin e shenjtë të institucioneve islame, e as që dëshiroi ta shqyrtojë të shenjtën si një çështje e pashpjeguar dhe e padyshimtë. Konstatimin për Islamin tradicional: “Me të shenjtën shpj­egohet, por e shenjtja nuk shpjegohet” Izetbegoviqi nuk dëshiroi ta regjistronte në li­brin e tij. Sipas Izetbegoviqit, Islami mund të jetë Islam “i vërtetë” po qe se është këtu, në shoqëri, në vepër. Të gjitha institucionet e Islamit, sipas Izetbegoviqit, kanë ku­ptim të përkohshëm, “joreal”, por edhe kuptimin e tyre të “vërtetë”, të përhershëm dhe shoqëror dhe/ose politik. “Zeqati rëndësinë e tij të vërtetë e mori me formimin e ba­shkësisë medinase” (258), atëherë kur nga lëmosha u shndërrua në tatim! Kuptimin e tij të “vërtetë” namazi e mori vetëm atëherë kur arriti të shndërrohet në namaz po­li­t­ik! Ummeti, bashkësia shpirtërore e myslimanëve, kuptimin e tij të duhur e fitoi atë­h­e­rë kur arriti të formohet si shtet! – Këto janë rezymetë e orvatjeve të Izetbegoviqit për të ofruar koncepte të “shoqërizimit të Islamit”.

Në harmoni me këto insistime të tij në aspektet “shoqërore-politike” të ins­ti­tu­ci­on­e­ve islame, Izetbegoviqi pohon se të gjitha ato janë me orientim shoqëror. Si p.sh. ha­xhi, pasi që, sipas Izetbegoviqit, si detyrë e pestë themelore e Islamit, njëkohësisht shf­a­qet edhe si “ritual fetar, panair tregtar, tubim politik… (…), pra e gjithë së ba­sh­ku”.[17] Vetë shehadeti (dëshmia), thotë Izetbegoviqi, “bëhet para dëshmitarëve, gjë që është pasojë e domethënies së dyfishtë të këtij akti. Me këtë deklaratë hyn në ba­sh­kë­si­në shpirtërore, gjë për të cilën nuk i nevojiten dëshmitarë, por edhe në një bashkësi sho­­qërore e politike, që ka domethënie juridike, e jo vetëm morale”.[18]

Madje, edhe agjërimi islam, sipas Izetbegoviqit, në vete ngërthen dimensionin sho­q­ëror: “Komponentën e ngjashme (shoqërore) pa dyshim e gjejmë në agjërimin islam. Masat myslimane gjithnjë e kanë konsideruar si manifestim të bashkësisë, gjë me të ci­lën duhet të shpjegohen reagimet e ashpra të popullit në raste të shkeljes publike të këtij detyrimi. Konsiderohej (në të vërtetë, ndjehej) se me këtë rrënohet kohezioni i bre­ndshëm shoqëror. Pra, të agjërohet, në Islam nuk është çështje ekskluzivisht fetare dhe si e atillë çështje personale e individit, por detyrim shoqëror”.[19]

Izetbegoviqi, në harmoni me dualizmin e tij (“I tërë Islami është nën shenjën e këtij uniteti ‘bipolar’”[20], pohon ai), ofron një këndvështrim interesant. Jo vetëm që ins­titucionet islame dallohen brenda vetes me atë dysi të qëllimit të përkohshëm dhe të për­hershëm, por ato, ato institucione, gjithashtu njëra ndaj tjetrës vendosen dhe kanë ra­porte “dualiste”, sepse disa janë të karakterit “shpirtëror”, ndërsa disa të tjera të atij “ma­terial dhe shoqëror” etj. Ai thotë: “… namazi shfaqet si komponentë shpirtërore, kurse zeqati si komponentë sho­që­rore. Namazi është i kthyer kah njeriu, zeqati kah bota; namazi mban karakter per­s­o­nal, zeqati karakter shoqëror; namazi ka qëllim subjektiv, zeqati atë objektiv; namazi është instrument i edukimit, zeqati është pjesë përbërëse e sistemit etj…”[21]

Megjithëse Izetbegoviqi shkroi pasuse mjaft të jashtëzakonshme për utopinë, do të ishte mirë që te vetë ai të ballafaqohemi me një vijë të fuqishme utopiste. Atë vijë e vë­r­e­jmë atëherë kur bisedojmë për zeqatin, duke theksuar se këtu nuk janë të rë­n­dë­si­sh­me përqindjet se sa të jepet nga pasuria, sa është i rëndësishëm vetë parimi i solidaritetit: “Parim i rëndësishëm është parim sipas të cilit pjesa më e pasur e shoqërisë ka de­ty­rim ndaj pjesës më të varfër. S’do dyshuar se sistemi i njëmendtë islam, atëherë kur një ditë do të realizohet, do përpiqet ta përmbush vetë qëllimin e këtij parimi, pa u bre­ngosur aq për përqindjet…”[22]

Izetbegoviqi nuk tregon se kur do të realizohet “sistemi i njëmendtë islam”, por shp­r­eson se ai “një ditë” do të ndodhë.

Përfundim

Vepra e Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” është një libër i gu­xi­mshëm, si dhe një shembull i çmuar i lëndës që është ngritje e zërit, dhe faqet e së cilës janë të jashtëzakonshme, sepse janë përpiluar në kohët e mendimeve dhe ideologjive të caktuara. “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” është një orvatje që të tejkalohet teoria e atëhershme e dëshiruar shoqërore e komentimit të Islamit, nd­ë­rsa një pozicion i atillë i tij intelektual rrjedh nga situata ekzistenciale e vetë autorit.

Alija Izetbegoviqi thjesht dhe gjithkund vërejti se e tërë bota është e ndarë ndër­m­jet religjionit/kapitalizmit dhe materializmit/socializmit, me përjashtim – siç me­nd­o­nte ai – të botës islame. Islamit dhe botës islame ia dedikoi rolin e sintezës dhe të ba­sh­ki­mit të atyre dy poleve kundërthënëse.

Prandaj, kur e lexojmë sot veprën “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” me­do­e­mos ta kemi parasysh edhe autorin, edhe situatën e tij ekzistuese, si dhe kohën kur ai i shfaqi idetë e tij dhe i shkroi librat e vet. Në atë kontekst, dhe vetëm në atë kontekst të më shumë gjërave, duhej të komentoheshin ato tekste të Izetbegoviqit, të cilat sot na duken si kundërthënëse.

Vetë Izetbegoviqit jeta dhe angazhimet e mëvonshme politike i ofruan kushte, njo­huri dhe përvoja të reja. Pasi që e shkroi librin “Islami ndërmjet Lindjes dhe Pe­rë­nd­i­mit”, u burgos për të dytën herë. Më pas, pas daljes nga burgu, themeloi partinë po­li­ti­ke. Hyri në politikë dhe u bë kryetar i Bosnjë e Hercegovinës. Më pas u gjet në mesin e dra­mës së luftës, kur gjatë asaj fatkeqësie të tij dhe të Bosnjë e Hercegovinës do të vi­zi­tojë dhjetëra kry­eqendra botërore, si në Perëndim, ashtu dhe në Lindje. Atëherë, ta­n­imë si një njeri i pjekur e thinjur, i cili kishte hyrë në vitet shtatëdhjetë të jetës së vet, arriti më shumë për­vojë të re dhe të rëndësishme. Gjithashtu, ato përvoja i arriti në shu­më vende të rën­dësishme, gjatë aktiviteteve të rëndësishme dhe me njerëz të rëndësishëm.

Me siguri, atëherë erdhën në shprehje edhe shqyrtimet/përmirësimet/ e thella. Se­p­se, vetëm pas atyre shqyrtimeve Alija Izetbegoviqi ka mundur të paraqesë qëndrime plo­tësisht të kundërta me ato të librit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Në këtë rast do ta theksoj vetëm një shembull. Në glorifikimin e tij të botës islame dhe myslimane (që ishte pozicionuar si kritikë e njëkohshme e Perëndimit), Alija Izet­b­eg­o­viqi thotë: “Kjo është situatë në të cilën kisha e kultivon shpirtin, ndërkaq shteti sundon me tru­pin, sipas modelit: Zotit hyjnoren, mbretit mbretëroren. Njeriun perëndimor e kanë më­suar se privatisht mund të jetë i krishterë, ndërsa si njeri publik ose afarist mund të jetë edhe makiavelist. Ata të cilët nuk janë në gjendje që ta zgjedhin ose t’i bëjnë ballë këtij konflikti, bëhen viktimë e neurozave. Të gjithë ata që e njohën botën myslimane janë të një mendimi për ndikimin e një harmonie të jashtëzakonshme ndërmjet nje­riut dhe mjedisit, për një përfshirje komode të individit në indin shoqëror, për një ko­he­zion e cila assesi nuk është artificial, i jashtëm, politik, juridik, por i brendshëm, or­g­­anik. Ky fakt është i pranishëm, madje përkundër varfërisë dhe prapambetjes që mbisundojnë”.[23]

Këtë qëndrim, të shprehur ekskluzivisht në bazë të ndjenjave dhe të “solidaritetit isl­am”, Izetbegoviqi e ndryshoi pasi që arriti në një nivel më të lartë të njohurive dhe për­vojës për botën aktuale perëndimore dhe atë myslimane. Kështu që, njëzet e më te­për vite më vonë, në një fjalim të mbajtur në Konferencën e Organizatës të Shteteve Islame në Teheran[24] do të deklarojë: “Më falni për faktin se do të jem shumë i hapur. Gënjeshtrat e bukura nuk ndi­h­mo­jnë, ndërsa të vërtetat e hidhura mund të jenë shëruese. Perëndimi nuk është as i pri­shur, e as i degjeneruar. Vetëmashtrimin për ‘Perëndimin e kalbur’ sistemi kom­u­ni­st e pagoi mjaft shtrenjtë. Perëndimi nuk është i kalbur. Ai është i fuqishëm, i ars­i­m­u­ar dhe i organizuar. Shkollat e Perëndimit janë më të mirat se tonat, ndërsa qytetet e tij janë më të pastra se qytetet tona. Niveli i të drejtave të njeriut në Perëndim është më i lartë, ndërsa përkujdesja sociale për të varfrit dhe për ata me aftësi të kufizuara është mjaft mirë e organizuar. Kryesisht, perëndimorët janë njerëz me përgjegjësi dhe të saktë. Përvoja ime me ta është e atillë. Gjithashtu, e di edhe anën e errët të për­pa­ri­mit të tyre dhe assesi nuk e humbi nga sytë. Islami vërtet është më i mirë – ai fakt është i vërtetë, por ne nuk jemi më të mirët. Këto janë dy gjëra të cilat shpeshherë i ndry­sh­o­jmë. Në vend që ta urrejmë Perëndimin, ne duhet të garojmë me të! Vallë, a nuk na ur­dhëroi Kur’ani pikërisht këtë gjë: ‘Garoni në vepra të mira…’ Me ndihmën e fesë dhe shkencës mund ta arrijmë fuqinë që na nevojitet.”[25]

Libri i Izetbegoviqit “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” me pjesët dhe që­n­dr­i­met e tij më të shumta tanimë i takon të kaluarës dhe historisë. Mirëpo, shqetësimin që ky libër përmban, idealet që i paralajmëron, ankthin që aty-këtu e mban në kra­h­a­r­or, vendi që kërkohet për Islamin, kritikat jo të drejtpërdrejta ndaj myslimanëve të so­tëm të cilat u shfaqën qartë – të gjitha këto autorit i shërbejnë në krenari, e bëjnë të gjallë, por edhe më të gjallë! Në ato pjesë Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ende mund të lexohet si fjalë e freskët dhe e angazhuar, të cilën mund ta pranojmë pje­së­ri­sht edhe si dituri e jonë personale, si mendim, si bindje dhe si besim.

Sarajevë, 18.11.2004. 

Në gjuhën shqipe e përktheu: Behxhet Jashari

* Autori është profesor universitar i teologjisë dhe, njëherazi, shkrimtar. Ky shkrim është botuar në vëllimin e dytë të kompletit të veprave të botuara të Alija Izetbegoviqit nga SHB “Logos-A” më 2013. Këtu po botohet me shkurtime.

[1] Vepra Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit e Alija Izetbegoviqit deri më tani është libri më i publikuar dhe më i përkthyer i tij. Nëse merren parasysh botimet serbokroate dhe ato boshnjake, duhet theksuar bot­i­m­in e vitit 1988 (botues Biblioteka “Nova”, pastaj botimi personal i Izetbegoviqit i  vitit 1990, ndërsa botimi vi­j­u­es boshnjak publikohet në “Svijetlost”, Sarajevë, në vitin 1995. “Svjetlost” ishte botues i këtij libri edhe në vitin 1996. Deri në vitin 1996 kjo vepër është përkthyer në gjuhën angleze (botues “American Trust Pub­li­ca­ti­o­ns”, 1984), në gjuhën turke (botues “Nehir Yayinlari, 1987). Vepra në vitin 1992 është përkthyer edhe në një­rën nga gjuhët indoneziane (bot. Penerbit Nizan), ndërsa në vitin 1994 në Gjermani është përkthyer në gju­h­ën arabe (bot. “Bavaria Verlag&Handel GmbH”). Në Maqedoni kjo vepër në gjuhën shqipe është botuar në vi­tin 1994 (bot. TWRA). Të theksojmë se Alija Izetbegoviqi për veprën “Islami ndërmjet Lindjes dhe Pe­rë­nd­i­m­it”  fitoi shpërblimin nga qeveria e Arabisë Saudite “Mendimtar i vitit 1995”. (Për herë të parë në gjuhën shq­ipe vepra Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit është publikuar në Prizren, SHB Zëri Islam, 1990. Pastaj ve­p­ra do të vazhdojë ta ribotohet nga Logos-A shumë herë, por kemi edhe botime pirate.).

[2] Alija Izetbegoviq, “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, Logos-A, Shkup, 2000, fq. 312.

[3] “Edhe pse në lindje dielli lind

dhe dëfton trimërisht shkëlqimin e vet, pa tis,

ai bëhet flakë e dritë nga zjarri i brendshëm vetëm kur

u ikën verigave të Lindjes e të Perëndimit;

i dehur nga shkëlqimi ai shfaqet në lindjen e vet

që t’i pushtojë të gjitha horizontet;

qenia e tij s’i përket as Lindjes, as Perëndimit,

edhe pse nga lindja është”.

[4] Po aty, fq. 247.

[5] Po aty, fq. 247.

[6] Po aty, fq. 16.

[7] Gjatë periudhës më të gjatë të tij, Islami asnjëherë nuk është definuar si “pikëpamje ndaj botës”. Ideja e Isla­mit si e worldview-it (botëkuptim) ose Weltanschauung-ut (si filozofi e jetës) plotësisht është e kohës së re dhe erdhi nga Perëndimi. Natyrisht, kjo ide e Weltanschauung-ut nuk është e dëmshme, dhe në gjurmët e saj mu­nd të shkruhen studime mjaft të frytshme për Islamin si “pikëpamje ndaj botës”. Mund të themi se Islami është një lloj i “pikëpamjes ndaj botës”, por duhet patur parasysh se, sipas Islamit, bota nuk është objekt, e as që njeriu është subjekt dhe arbitrar i pakontestueshëm.

[8] Po aty, fq. 15, shënimi nr. 1.

[9] Po aty, fq. 247.

[10] Islami nuk filloi si mistikë, Islami filloi si Shpallje dhe fe, mbeti Shpallje dhe fe. Mistika është vetëm një asp­ekt i Islamit.

[11] Evolucionizmi i llojit darvinist gaboi kur pohoi se, p.sh., ameba e bën punën e saj për një formë më të lartë të jetës, dhe më  pas në atë formë të madhe të jetës tanimë ameba nuk ekziston, aty ajo nuk merr pjesë më, ndë­rsa teoria holistike e Islamit – në të kundërtën e teorisë evolucioniste – tregoi se me lindjen e njeriut, tek ai (në njeriun) asgjë nuk është zhdukur që të mos ekzistojë më, tek ai ekziston ajo që gjendet edhe në amebat, ajo që ekziston tek zvarranikët, ajo që ekziston tek egërsirat, ajo që ekziston tek engjëjt…

[12] “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, po aty, fq. 248.

[13] Po aty, fq. 253.

[14] Po aty, fq. 250.

[15] Po aty, fq. 250.

[16] Po aty, fq. 251.

[17] Po aty, fq. 264.

[18] Po aty, fq. 263.

[19] Po aty, fq. 264.

[20] Po aty, fq. 263.

[21] Po aty, fq. 262.

[22] Po aty, fq. 260-261.

[23] Po aty, fq. 278.

[24] Kjo konference është mbajtur me 11 dhjetor të vitit 1997.

[25] Alija Izetbegović, “Sjećanja” (shënim autobiografik), TKD, Sarajevë, 2001, fq. 348.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button