Islamabadi: Stambolli do të presë bisedimet mes Pakistanit dhe Afganistanit të shtunën

Ministria e Jashtme e Pakistanit njoftoi të premten se Turqia do të organizojë një raund të dytë bisedimesh midis Pakistanit dhe Afganistanit në Stamboll, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Tahir Hussain Andrabi deklaroi se takimi i së shtunës synon të krijojë një “mekanizëm monitorimi konkret dhe të verifikueshëm” për të frenuar terrorizmin ndërkufitar.
“Ne mirëpresim marrëveshjen midis Pakistanit dhe Afganistanit të finalizuar në Doha, Katar më 19 tetor 2025 si një hap i parë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, tha Andrabi.
“Pakistani pret me padurim krijimin e një mekanizmi monitorimi konkret dhe të verifikueshëm në takimin e ardhshëm, që do të organizohet nga Turqia në Stamboll më 25 tetor 2025 për të adresuar kërcënimin e terrorizmit që buron nga toka afgane drejt Pakistanit dhe për të parandaluar çdo humbje të mëtejshme të jetës së pakistanezëve”, shtoi ai.
Pas disa ditësh përleshjesh vdekjeprurëse kufitare, javën e kaluar Doha organizoi bisedime midis Islamabadit dhe Kabulit, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Turqia, ku të dy palët arritën një armëpushim i cili është aktualisht në fuqi.
Kabuli ende nuk ka lëshuar një deklaratë në lidhje me takimin e së shtunës.
Andrabi theksoi vlerësimin e thellë të Pakistanit për “rolin konstruktiv” të luajtur nga Katari dhe Turqia në lehtësimin e dialogut midis dy palëve.



