Ish-komandanti i ushtrisë izraelite pranon se mbi 200,000 palestinezë janë vrarë në Gaza

Një ish-gjeneral izraelit ka thënë se ushtria ka vrarë ose plagosur mbi 200,000 palestinezë gjatë ofensivës së saj në Gaza dhe se “asnjëherë” gjatë gjenocidit ushtria nuk është penguar nga këshillat ligjore.
Herzi Halevi, i cili u tërhoq nga ushtria në mars pas 17 muajve në krye të ofensivës në Gaza, pranoi gjatë një takimi komunitar në jug të Izraelit këtë javë se “më shumë se 200,000 njerëz” janë vrarë ose plagosur nga forcat izraelite që nga tetori 2023.
Kjo shifër përkon me vlerësimet e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të cilat Izraeli i ka hedhur poshtë, pavarësisht se konsiderohen të sakta nga OJQ-të ndërkombëtare.
“Kjo nuk është një luftë e butë. Ne i hoqëm dorezat që në minutën e parë. Për fat të keq jo më herët,” tha Halevi, sipas një regjistrimi të publikuar nga faqja izraelite Ynet.
Halevi këmbënguli se ushtria izraelite i përmbahet ligjit ndërkombëtar humanitar, por pranoi se “asnjëherë” ndonjë këshillë ligjore nuk i kishte kufizuar veprimet e tij.
“Ka këshilltarë ligjorë që thonë: Ne do të dimë si ta mbrojmë këtë ligjërisht në botë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për shtetin e Izraelit,” tha Halevi në deklaratat e transmetuara nga Ynet.



