Ish-diplomati amerikan: Ne nuk kemi politikë për Palestinën, bëjmë atë që izraelitët duan që ne të bëjmë

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Casey kritikoi vendin e tij se nuk ka politikë për Palestinën, transmeton Anadolu.

Casey i cili dha dorëheqje nga posti i tij si zëvendës këshilltar politik për Rripin e Gazës në korrik, në një intervistë për gazetën “The Guardian” kritikoi politikat e SHBA-së për Gazën.

Ai tërhoqi vëmendjen se administrata e presidentit Joe Biden “refuzon çdo plan të paraqitur në favor të propozimeve të Izraelit”. “Për çdo ide që ne parashtronim, administrata e Bidenit thoshte se ‘izraelitët kanë një ide tjetër'”, tha Casey.

Pasu vuri në dukje se zhgënjimi i tyre u thellua derisa shkruanin raporte për krizën në rritje humanitare në Gaza, Casey tha se kishte një kosto psikologjike në dokumentimin e viktimave civile, përfshirë fëmijët dhe në shikimin e injorimit të raporteve të tyre në Washington.

– “U lodha shumë duke shkruar për fëmijët e vdekur”

“U lodha shumë duke shkruar për fëmijët e vdekur. Është e trishtueshme që vazhdimisht t’i dëshmosh Washingtonit se këta fëmijë janë vërtet të vdekur dhe më pas të shohësh se nuk ndodh asgjë”, thotë Casey.

Ish-diplomati amerikan shprehu zhgënjimin që presidenti Biden kishte vënë në dyshim publikisht numrin e të vrarëve në Palestinë, disa prej të cilave ai i ka dokumentuar drejtpërdrejt. “Ne nuk kemi politikë për Palestinën, bëjmë atë që izraelitët duan që ne të bëjmë”, deklaroi Casey.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të pretendimeve të Casey theksoi angazhimin e saj ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar dhe parandalimin e dëmtimit të civilëve.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit lidhur me çështjen tha se “Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se Izraeli duhet jo vetëm të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar, por të marrë çdo hap të mundshëm për të parandaluar dëmtimin e civilëve. Ky është një detyrim moral dhe strategjik”.

Casey i cili ka më shumë se një dekadë përvojë diplomatike, ishte vendosur në Kuds që nga viti 2020, në detyrën që përfshinte dokumentimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës dhe përgatitjen e rekomandimeve të politikave në lidhje me Gazën.

Në korrik 12 ish-zyrtarë të qeverisë amerikane të cilët dhanë dorëheqje për shkak të politikës së administratës së Bidenit në Gaza, mbrojtën idenë se politika e administratës ishte “e dështuar dhe kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

“Mbrojtja diplomatike e SHBA-së ndaj Izraelit dhe furnizimi i vazhdueshëm i Izraelit me armët e saj na ka bërë në mënyrë të pamohueshme bashkëpunëtorë në vrasjen dhe urinë e popullit palestinez të rrethuar në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button