Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafai mbetet në paraburgim!

Ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa, ndaj të cilit po zhvillohet hetim për marrje ryshfeti, mbetet në paraburgim pasi Gjykata Themelore Penale Shkup i ka zgjatur masën e sigurimit të pranisë për 30 ditë të tjera, përcjell TV21. Paraburgimi njëmujor i Stafës, i caktuar fillimisht, skadonte këto ditë, ndërsa zgjatja për 30 ditë të tjera u konfirmua këtë mëngjes nga Gjykata Penale.
Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të procedurës që kundër tij zhvilloi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Sipas Prokurorisë, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa ka marrë gjithsej 50,000 euro për të ndërmjetësuar dhe për të ndikuar tek një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup lidhur me një rast që lidhej me klientin e tij, pra personin që ai e përfaqësonte si avokat.
Qëllimi, sipas Prokurorisë, ishte të ndikonte përmes ryshfetit mbi kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhej të kryhej.
Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari Stafa u arrestua, dhe tek ai u gjetën dhe u sekuestruan mjetet monetare.
Personi për të cilin ish-prokurori i shtetit duhej të siguronte heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhiri”, Ljupço Pecov, i njohur me nofkën “Djalli”.
Stafa, i cili është avokat i Pecovit në këtë rast, disa muaj më parë kishte kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak në mungesë të Pecovit, për të cilin ishte ofruar edhe një garanci.
Disa ditë pas arrestimit të Stafës, më 16 dhjetor, Pecov, i cili deri atëherë ishte në arrati, u dorëzua vetë te organet e ndjekjes dhe menjëherë u paraqit para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Masa e paraburgimit që më parë i ishte caktuar Pecovit dhe e konfirmuar nga Apeli i Shkupit, atëherë u zëvendësua me arrest shtëpiak.
Përveç arrestit shtëpiak, Pecovit gjykata i caktoi edhe mbikëqyrje 24-orëshe nga MPB-ja, dhe i sekuestruan të dy pasaportat që posedonte.
Ljupço Pecov – “Djalli” është një nga të akuzuarit për krim financiar në rastin “Zinxhir”, rast i hapur në fund të tetorit 2023. Në hetim ishin përfshirë 26 persona, pronarë dhe menaxherë të 28 kompanive. Ata u dyshuan, e më pas u akuzuan se kishin krijuar një skemë për shmangie të tatimeve.



