Iseni: Miratohet Ligji për kundërvajtje, nga 1 shkurti nis “Safe City”

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se sot është miratuar Ligji për kundërvajtje, ndërsa nga 1 shkurti do të nisë zbatimi i projektit “Safe City”, që sipas tij synon rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e aksidenteve në komunikacion.

Iseni theksoi se “siguria e qytetarëve po bëhet realitet”, duke shtuar se projekti nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen e kamerave, por me shpëtimin e jetëve dhe vendosjen e rendit në rrugë.

“ ‘Safe City’ nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish,” deklaroi ai.

Ai akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar qëndrimin e tyre si “sabotim të një ligji jetik për qytetarët”.

Sipas Isenit, nga mbështetja fillestare për projektin, BDI ka kaluar në kundërshtim për arsye politike.

“Sot u pa qartë: siguria publike për ta vlen më pak se interesat partiake,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo, sipas tij, tregon se “Ali Ahmeti nuk e kontrollon as grupin e vet të deputetëve”.

Iseni theksoi se koalicioni VLEN do të vazhdojë me zbatimin e projektit pavarësisht kundërshtimeve.

“VLEN nuk tërhiqet dhe nuk frikësohet. ‘Safe City’ do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve, jo të pazareve,” deklaroi zëvendësministri.

Projekti “Safe City” pritet të fillojë zbatimin më 1 shkurt dhe ka për qëllim rritjen e kontrollit dhe sigurisë në komunikacion përmes teknologjisë dhe masave të reja ligjore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button