Iseni: Ambulanca e re në Ilinden hap dyert për fëmijët dhe qytetarët e Shkupit

Sot u inaugurua Ambulanca e re në Ilinden, duke u ofruar qytetarëve shërbime të avancuara patronazhi dhe shërbime preventive për fëmijët parashkollorë dhe shkollorë.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, Samir Iseni, shprehu kënaqësinë e tij gjatë ceremonisë.
“Moti me diell sot na shoqëroi drejt Ambulancës Ilinden, për të hapur dyert dhe për të mirëpritur më të vegjlit tanë në shërbimin e patronazhit, si dhe në shërbimin preventiv parashkollor dhe shkollor”, ka shkruar Iseni në Facebook.
Ai theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin.
“Pas përfundimit të ndërtimit të ambulancës së re, ju njoftojmë me kënaqësi se dyert e saj janë tashmë të hapura për ju, qytetarë të nderuar”, është shprehur Iseni.
Ambulanca e re synon të përmirësojë aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe të ofrojë mbështetje gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe familjet e zonës Ilinden, duke sjellë standarde moderne dhe kushte të reja për shërbimin e komunitetit.



