IRL: 3 milionë euro para të qytetarëve ka marrë kompania e cila dështoi në ndërtimin e Spitalit të Kërçovës

Ministria e Shëndetësisë i ka paguar 3 milionë euro për dy kontratat për ndërtimin e objektit të ri të Spitalit të Kërçovës, pavarësisht se ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti deklaroi në dhjetor se shteti nuk i ka paguar firmës asgjë për 10 vite, shkruan IRL në storjen e saj për (mos)ndërtimin e objektit të Spitalit të Kërçovës, për të cilin Portalb.mk, pati një sërë shkrimesh. Pjesë e firmës mbikëqyrëse e cila nuk i ka kryer punimet sipas kontratave të parapara, ka qenë dhe një person i akuzuar për mashtrim në Armeni, transmeton Portalb.

Objekti i spitalit të ri të Kërçovës u premtohet qytetarëve të Kërçovës për më shumë se tre dekada. Ministria e Shëndetësisë e cila e ka për detyrë përfundimin e këtij objekti që për më shumë se 30 viteve nuk ka arritur ta përfundojë të njëjtin. Në fund të vitit 2023, njoftoi se është prishur kontrata me firmën “Instalimi”, kontraktori i cili është zgjedhur për të ndërtuar objektin e ri të Spitalit të Kërçovës në vlerë prej 9.3 milionë euro. Për këtë, do të aktivizohej garancia bankare për firmën dhe do të kërkohet një firmë tjetër për t’i përfunduar punimet.

“Vetëm katër ditë para Vitit të Ri, ministri Mexhiti në brifing me gazetarët, dha deklaratë kontradiktore. Edhe pse në përgjigjen zyrtare të dy marrëveshjeve i janë paguar rreth 3 milionë euro, Mexhiti para gazetarëve tha se Instalimit në dhjetë vitet e kaluara nuk i është paguar asgjë dhe shteti ka borxh ndaj saj”, shkruan IRL

Citimi i IRL-së i referohet tekstit të Portalbit, ku gazetarja jonë e ka pyetur Mexhitin nëse do ta padisin firmën “Instalimi” pas prishjes së kontratës. Mexhiti deklaroi se për shkak të lëshimeve nga vetë Ministria e Shëndetësisë nuk mund ta padisin, por edhe se duhet të vlerësojnë nëse ministria ka borxhe ndaj firmës.

“Ka lëshime edhe nga ministria, kur kemi folur me prokurorinë e shtetit, vërejtëm se ndërtuesi nuk ishte paguar gati 10 vite, kemi pasur disa lëshime. Atje tani duhet të vlerësojmë se si është situata, a kemi borxhe ne si ministri dhe kjo merr kohë”, tha asokohe ministri Mexhiti.

Mirëpo, nga IRL theksojnë se Ministria e Shëndetësisë, megjithatë do ta padisë firmën që nuk e ka përfunduar objektin e ri të spitalit të Kërçovës.

Sipas IRL-së, mbikëqyrje për kryerjen e punimeve ka kryer kompania “Evro Konsalting”, në të cilën njëri prej pronarëve, Branisllav Dimitrijeviq ishte i akuzuar për mashtrim në Armeni. E njëjta kompani kryen edhe mbikëqyrje të ndërtimit të autostradës të cilin e ndërton Behtel dhe Enka.

“Mediat në shtator të vitit 2021 informuan për Branisllav Dimitrijeviq, njëri prej pronarëve të Evro Konsalting dhe arratisjen e tij nga Armenia pas akuzës së Armenisë për veprën penale mashtrim në masë të madhe. Autoritetet e atjeshme e kanë akuzuar për punë të paligjshme gjatë kryerjes së projektit për korridorin rrugor Veri-Jug në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2018. Evro Konsalting është i njohur edhe për pjesëmarrjen e tij në konsorciumin që duhet ta kryejë mbikëqyrjen e korridoreve 8 dhe 10 të Behtel dhe Enka. Në të kaluarën kjo firmë ka kryer mbikëqyrje të një pjese të madhe të objekteve në projektin kriminal Shkupi 2014”, shkruan IRL

IRL gjithashtu ka kontaktuar ministrat e Shëndetësisë që për gjatë këtyre viteve kanë qenë përgjegjës për ndërtimin e spitalit. Bujar Osmani i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë që nga viti 2008 deri në vitin 2011 dhe që vjen nga partia politike Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetarëve, në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe ish ministri Venko Filipçe. Ndërsa Arben Taravari ka thënë se ai ka qenë në funksion për një periudhë të shkurtër dhe nuk e di se çka ka ndodhur me të.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button