Irani shpall Bashkimin Evropian “bashkëfajtor” në luftë

Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi sot Bashkimin Evropian për “bashkëpunim” në luftën amerikan-izraelite kundër Iranit.
“Indiferenca dhe pranimi i heshtur i Bashkimit Evropian përballë agresionit, dhunës dhe mizorive të SHBA-së dhe Izraelit nuk është asgjë më pak se bashkëfajësi. Bota po e sheh këtë”, tha zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baqaei.
Për të mbështetur këtë pretendim, Baqaei shpërndau një video të eurodeputetit belg të majtë, Marc Botenga, i cili gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Strasbourg deklaroi se shumë politikanë europianë nuk po dënojnë agresionin, por po e mbështesin luftën kundër Iranit.
Brenda Bashkimit Evropian, qëndrimet për konfliktin në Lindjen e Mesme janë të ndryshme. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur se “nuk duhet derdhur lot për rënien e regjimit iranian”.
Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, paralajmëroi se goditjet e urdhëruara nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të destabilizojnë më tej rajonin.
Disa vende, si Spanja, kanë kritikuar më ashpër veprimet ushtarake, ndërsa Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mbajtur qëndrime më të rezervuara.
Deklaratat e Baqaei erdhën vetëm pak orë pasi kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se çdo sulm ndaj ishujve iranianë do të “thyejë çdo vetëpërmbajtje” nga ana e Teheranit.
“Gjaku i ushtarëve amerikanë është përgjegjësi personale e Trumpit”, shtoi Ghalibaf, duke theksuar rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit dhe tensionet e larta në rajon.



