Inteligjenca turke ndihmon në shpërbërjen e një qelize të ISIS-it që përgatitej për sulme sabotazhi në Damask

Një qelizë e organizatës terroriste DEASH, e cila po përgatitej të kryente sulme sabotazhi në kryeqytetin sirian Damask, është shpërbërë dhe tre terroristë janë kapur pas informacioneve të siguruara nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MIT), raporton Anadolu.
Sipas burimeve turke të sigurisë, MIT ndau informacionet e mbledhura me Komandën e Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Sirisë dhe me Shërbimin e Përgjithshëm të Inteligjencës.
Inteligjenca siriane, e cila monitoroi hap pas hapi anëtarët e qelizës dhe aktivitetet e tyre, më pas përcaktoi vendndodhjen e saktë të tyre dhe arrestoi tre terroristët Omar Hashim, Mohammad Hamed dhe Hussein Khalaf gjatë një operacioni.
Zbulohet automjet i mbushur me bomba
Njëkohësisht, ekipet për çmontimin e bombave nxorën eksplozivë nga një automjet i lënë në një vend kritik.
Në automjet u gjet një sasi e madhe C4 dhe TNT, eksplozivë të aftë të shkaktojnë shkatërrime të mëdha.
Tre të arrestuarit u dërguan në Drejtorinë kundër Terrorizmit të Shërbimit të Përgjithshëm të Inteligjencës së Sirisë për t’u marrë në pyetje, me qëllim zbulimin e personave që mbështetën qelizën dhe të lidhjeve të mundshme të saj.
Javën e kaluar, një audio mesazh i shpërndarë nga DEASH u bëri thirrje anëtarëve të grupit të jenë të gatshëm për të kryer sulme.



