Institucionet të koordinuara për përballimin e përmbytjeve në Saraj

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, ka njoftuar se që nga orët e para të mëngjesit ndodhet në terren për të ndjekur nga afër situatën e krijuar pas reshjeve të dendura në Komunën e Sarajit.
Sipas tij, së bashku me kryetarin e Komuna e Sarajit, Muhamed Elmazi, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, si dhe me zyrtarin Zekerija Berisha, po monitorojnë gjendjen në zonat më të prekura.
Situata më e rënduar paraqitet në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë, ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi për banorët.
Në terren janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve nga Shkupi dhe Tetova, ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup”, si dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilat po punojnë intensivisht për largimin e ujit nga zonat e përmbytura, pastrimin e pikave kritike dhe vlerësimin e dëmeve.
Muhamed Ali theksoi se të gjitha institucionet janë të koordinuara dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren deri në stabilizimin e plotë të situatës, me prioritet mbrojtjen e banorëve dhe minimizimin e dëmeve materiale.



