Inflacioni në Evropë rritet në 2,5%

Shkalla e inflacionit në Evropë është rritur në 2.5% në mars, ndërsa lufta në Iran i ka çuar çmimet e karburantit ndjeshëm më lart, kanë treguar shifrat zyrtare të martën.
Dhe kjo po i bën analistët të parashikojnë rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane më vonë këtë vit.
Shkalla vjetore për 21 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që përdorin monedhën euro ishte 1.9% në shkurt, para fillimit të luftës e cila bllokoi furnizimet me naftë dhe gaz nga Gjiri Persik.
Çmimet e energjisë janë rritur me 4.9% në mars krahasuar me një rënie prej 3.1% në shkurt, treguan shifrat e Eurostat.
Inflacioni i çmimeve të ushqimeve arriti në një nivel relativisht të moderuar prej 2.4%, ndërsa shërbimet, një kategori e gjerë që varion nga kujdesi mjekësor deri te prerjet e flokëve, janë rritur me 3.2%.
Kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka thënë se bizneset mund të jenë të shpejta për të rritur çmimet gjatë këtij shpërthimi të inflacionit, për shkak të kujtimeve të hidhura të episodit të fundit të çmimeve më të larta në vitin 2022, kur inflacioni u rrit në dy shifra.
Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve me gaz natyror për Evropën dhe çmimet e naftës u rritën, duke i rritur kostot e energjisë në mënyrë marramendëse.
Ndërkaq Irani ka bllokuar pjesën më të madhe të trafikut të cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, rruga ujore përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë.



