Imerlije Saliu pas dorëheqjes së Ibrahimit: Akt fisnik, me integritet dhe pjekuri të rrallë!

Deputetja e Alternativës dhe koalicionit VLEN, Imerlija Saliu ka reaguar pas dorëheqjes së Zeqirija Ibrahimit. Ajo thotë se veprimi i tij pikërisht në një periudhë suksese te Alternativa, flet më shumë se çdo fjalë për fisnikërinë, maturinë dhe integritetin e tij të lartë.
“Dorëheqja e kryetarit të AAA-së, z. Zeqirja Ibrahimi, për mua shënon një moment shumë të rëndësishëm, si për subjektin tonë politik ashtu edhe për mua personalisht. Ky akt, i ndërmarrë pikërisht në një periudhë suksesi të AAA, flet më shumë se çdo fjalë për fisnikërinë, maturinë dhe integritetin e tij të lartë.
Unë jam jashtëzakonisht krenare me mënyrën se si kryetari Ibrahimi e përfaqësoi AAA-n brenda VLEN-it. Ai dha dinjitet, pjekuri dhe qëndrueshmëri në çdo proces politik, duke i bërë të gjithë të ndihen se zëri, vizioni dhe vlerat tona ishin të përfaqësuara me përgjegjësi dhe seriozitet. Ai e ngriti profilin e AAA-së me shumë mençuri dhe maturi, duke treguar se politika mund të bëhet me vlera dhe me etikë, pa humbur kurrë dinjitetin.
Për mua, Kryetari Ibrahimi ka qenë gjithmonë shembull i një njeriu me virtyte të larta, me etikë personale e profesionale që rrallë gjendet në politikë. Ai është lideri që e ndërton autoritetin me dije, me argument, me kulturë politike dhe me qasje të urtë as me zhurmë e as me imponim. Brenda AAA-së ai krijoi ndjesinë se ishim familje, se secili prej nesh kishte vend, respekt dhe mbështetje. Ky është një tipar që nuk mësohet, por lind nga zemra dhe karakteri.
Si politikane e re brenda VLEN-it, unë kam mësuar shumë prej tij, ishte për ne profesor në kuptimin më të plotë të fjalës me qasjen e tij të matur ndaj sfidave, me aftësinë për të lexuar drejt realitetin politik, me gjuhën e argumentit dhe me qetësinë e mençur që e karakterizon. Nga ai kemi mësuar se politika bëhet me kokë të kthjellët dhe me zemër të pastër.
Dorëheqja e tij, sërish, në një kohë kur shumë të tjerë do të kërkonin të forconin pozitat personale, është një akt madhështor i pjekurisë politike. Ai tregoi se lideri i vërtetë e njeh momentin kur duhet të udhëheqë në vijë të parë, dhe po aq mirë njeh momentin kur duhet t’u hapë hapësirë gjeneratave të reja.E di se, cilido qoftë funksioni i tij brenda subjektit, ai do të mbetet mendje e ndritur, zë i arsyes, i dijes dhe i integritetit.
Sonte, unë e shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm. Jam thellësisht falënderuese për çdo mësim, për çdo mbështetje dhe për çdo hap që kemi bërë bashkë.
Për mua, ai nuk ishte vetëm kryetari ynë. Ai ishte modeli ynë, profesori ynë, njeriu që e nderoi politikën me karakterin dhe maturinë e tij, dhe që mbolli një kulturë të shëndetshme që do të na shoqërojë gjatë”, ka shkruar Saliu. /Alfax.mk



