Imerlije Saliu: Hipokrizia e BDI-së, po përdor standarde të dyfishta për përfaqësimin e shqiptarëve

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar përmes një statusi publik ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së, duke i cilësuar ato si hipokrite dhe kontradiktore në raport me përfaqësimin politik të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Saliu rikujton se BDI në të kaluarën e ka shpallur “arritje historike” funksionin e Kryeministrit Teknik, ndërsa sot, sipas saj, po tenton të zhvlerësojë pozita me kompetenca reale vetëm pse nuk mbajnë vulën e kësaj partie. “Kryeministrin Teknik e shpallën arritje historike për përfaqësimin e shqiptarëve, ndërsa sot, kur shqiptarët kanë një Zëvendëskryeministër me kompetenca reale dhe vendimmarrëse, siç është Bekim Sali, si dhe Kryeparlamentarin, të pretendohet se përfaqësimi politik i shqiptarëve qenka i pavlerë?”, shprehet ajo.

Sipas deputetes së VLEN-it, ky kontrast tregon qartë hipokrizinë politike të BDI-së dhe bie ndesh me narrativën që kjo parti ka ndërtuar ndër vite. “Ky kontrast zbulon hipokrizinë politike të deklaratës së Arbër Ademit, e cila bie ndesh me vetë narrativën që BDI ka ndërtuar ndër vite për rolin e shqiptarëve në pushtet”, thekson Saliu.

Ajo vlerëson se një funksion teknik, me mandat të kufizuar dhe pa rezultate konkrete, është përdorur si simbol triumfi, ndërsa sot po mohohet vlera e pozitave reale me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen shtetërore. “Një funksion teknik, me mandat të kufizuar dhe pa rezultate konkrete për shqiptarët, u shndërrua në simbol triumfi, ndërsa një pozitë reale me ndikim konkret në vendimmarrje shtetërore zhvlerësohet vetëm pse nuk mban vulën e BDI-së”, nënvizon ajo.

Në fund, Saliu akuzon BDI-në për standarde të dyfishta dhe për përdorim selektiv të simbolikës politike. “Kur pozita është e BDI-së, përfaqësimi shpallet historik; kur pozita është jashtë saj, përfaqësimi mohohet. Shqiptarët sot nuk kanë nevojë për simbolika selektive, që i ‘qëndisnit’ për mrekulli gjatë qeverisjeve tuaja”, përfundon deputetja e VLEN-it, duke shtuar edhe një pyetje ironike: “Sa komuna u fituan nga BDI?”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button