Ibrahimi: VLEN do ta kthejë Gostivarin në vend të merituar e dinjitoz për jetë

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, në një status në rrjetet sociale ka njoftuar për hapjen e shtabit zgjedhor në Gostivar dhe promovimin e kandidatit për kryetar komune, Sabeadin Dauti.
“Sonte në Gostivar erdhëm për ta bartur frymën e Tetovës, duke e hapur shtabin e VLEN-it dhe duke e promovuar kandidatin Sabeadin Dauti, për ta përmbysur kështu frymën e stagnimit në këtë qytet,” ka shkruar Ibrahimi.
Ai ka kritikuar politikat e deritanishme të pushtetit lokal, duke theksuar se si pasojë e tyre, “numri më i madh i të rinjve të Gostivarit tê ardhmen e tyre gjithnjë e më shumë e shohin në Perëndim.”
Sipas tij, ka ardhur momenti për ndryshim:
“Ka ardhur koha që t’u themi STOP politikave të këtilla të gabuara. VLEN-i, përmes pushtetit qendror dhe me ardhjen në krye të Gostivarit të Sabeadin Dautit, Gostivarin do ta kthejë në vendin e merituar dhe dinjitoz për jetë.”



