Ibrahimi: Urime Izet Mexhitit, po vazhdojmë procesin e ndryshimit në Çair

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e ri të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ku e ka uruar për marrjen e detyrës dhe ka theksuar nisjen e një faze të re të bashkëpunimit politik.
“U takova me kryetarin të Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, të cilit ia urova zyrtarisht marrjen e detyrës”, shkroi Ibrahimi.
Ai theksoi se së bashku me Mexhitin po ndërtojnë strukturat e reja politike në komunë, duke vazhduar procesin e ndryshimeve të nisura vitin e kaluar.
“Së bashku me Izet Mexhitin, në Çair po e konsolidojmë drejtimin e ri politik dhe po e vazhdojmë procesin e ndryshimit që e nisëm para një viti”, deklaroi ai.
Ibrahimi nënvizoi gjithashtu rolin e VLEN-it në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si forcën më të përgjegjshme dhe më të orientuar drejt zhvillimit.
“VLEN po dëshmohet si forca politike që përfaqëson me përgjegjësi interesat e qytetarëve dhe si alternativa e vetme e zhvillimit për të ardhmen e shqiptarëve”, shtoi ai.
Takimi konsiderohet pjesë e koordinimit të vazhdueshëm mes partnerëve të koalicionit, me synim forcimin e qeverisjes lokale dhe avancimin e proceseve reformuese në komunat shqiptare.

