Ibrahimi: Protesta e studentëve – mesazh i shumëfishtë për një problem shumëvjeçar

Njëri nga eksponentët e lartë të koalicionit VLEN Zeqirija Ibrahimi, në lidhje me protestën e studentëve, ka thënë se kjo protestë jo vetëm që është e drejtë e tyre e plotë por edhe detyrim i tyre për rolin shoqëror që e kanë.

Ja dhe postimi i tij i plotë:

Protesta e nesërme e studentëve në Shkup është jo vetëm e drejtë e tyre e plotë, por edhe detyrim i tyre për rolin e shoqëror që e kanë.

Në interpretimin tim, ajo:

– Është protestë kundër profesorëve të tyre, si edhe kolegëve të tyre studentë të gjeneratave të mëparshme, që kanë heshtur para kësaj padrejtësie shumëvjeçare.

– Është protestë ndaj mashtrimit shumëvjeçar të atyre që rrihnin gjoks se shqipja është zyrtarizuar me Marrëveshjen e Ohrit dhe me ligjet e ndryshme që ishin miratuar ndërkohë, deri në vitin 2018.

– Është protestë ndaj atyre që e kishin edhe kryetarin e Kuvendit, edhe kryeministrin teknik, edhe Avokatin e Popullit dhe nuk u përgjigjën kurrë se pse kjo temë kishte mbetur e pazgjidhur.

– Është protestë ndaj atyre 5-6 ministrave shqiptarë të Drejtësisë që nuk e zgjidhën një problem kaq të thjeshtë – harmonizimin e detyrueshëm brenda një viti të Ligjit të përdorimit të gjuhëve me ligjet e tjera që i prek kjo çështje.

– Është protestë ndaj atyre që thoshin se shqipja është zyrtarizuar, ndërkohë që më shpallnin heretik kur u thosha se po mashtrojnë dhe se ajo vetëm ishte avancuar. Për këtë veçmas i falënderoj studentët.

– Është protestë ndaj atyre diplomatëve shqiptarë në Shkup që mashtrimin se shqipja ishte zyrtarizuar ia shpotisnin në vesh edhe kryeministrit shqiptar.

– Dhe, gjithsesi, ajo është protestë, por edhe mesazh, ndaj pushtetit të sotëm ekzekutiv që sa më shpejt ta zgjidhë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën amtare.

Me këtë rast dua ta falënderoj Avokatin e Popullit, i cili – edhe pse as dy në muaj në detyrë – ia ka imponuar Qeverisë së RMV-së zgjidhjen jo vetëm për provimin e jurisprudencës, por edhe për provimet e tjera.

Sidoqoftë, e përshëndes protestën e studentëve, por që ajo të mos marrë ngjyra politike dhe partiake, do të rezistoj nga dëshira për të marrë pjesë edhe vetë në të.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button