Ibrahimi pas miratimit të Ligjit për Medresenë: E premtuar – e realizuar

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Shkollat e Mesme Fetare, duke e cilësuar këtë si një moment historik për shoqërinë dhe arsimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë të ndarë përmes rrjeteve sociale, Ibrahimi theksoi se miratimi i ligjit me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve në Kuvend është dëshmi konkrete se politika mund të jetë mjet për të garantuar barazi, dinjitet dhe respekt ndaj diversitetit.
“E premtuar – e realizuar. Faleminderit të gjithë deputetëve që me 2/3 e shumicës e mbështetën këtë ligj,” u shpreh ai.
“Sot, në mënyrën më të mirë dëshmuam se jemi për barazi në arsim, për një shoqëri që e respekton diversitetin dhe ka mirëkuptim për nevojat e qytetarëve.”
Ibrahimi nënvizoi se ky vendim është rezultat i një angazhimi politik të sinqertë, që e sheh pushtetin si shërbim ndaj qytetarit dhe jo si privilegj, duke shtuar me emocion:
“Janë këto çaste kur i thua vetes: ‘prandaj ia VLEN’.”
Në fund, ai shprehu urime për të gjithë nxënësit dhe familjet që do të përfitojnë nga ky zhvillim i ri në sistemin arsimor të vendit.
Ligji për Shkollat e Mesme Fetare është përshëndetur nga përfaqësues të komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile si një hap konkret për institucionalizimin e të drejtave fetare në arsim, dhe një model bashkëkohor i respektit për pluralizmin kulturor dhe fetar.