Ibrahimi: O Ali, shqiptarët e RMV-së nuk janë serbë të Gazimestanit!

Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e kishte krahasuar opozitën shqiptare me “shoqatën e Gazimestanit”.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimi e quajti këtë gjuhë “denigruese” dhe të papranueshme, duke theksuar se metafora e përdorur nga Ahmeti është një ofendim i rëndë ndaj votuesve shqiptarë.

“Për më të rinjtë që nuk e kuptojnë gjuhën denigruese të Ali Ahmetit, metafora se ‘VLEN-i është shoqata e Gazimestanit’ nënkupton se ‘VLEN-i janë serbët e Kosovës’. Hiç më pak se kaq,” shkruan Ibrahimi.

Ai shtoi se qëndrimet e tilla e diskreditojnë vetë liderin e BDI-së dhe e izolojnë politikisht.

“Ne për të mirën e tij e kemi kur i themi se e ka kohën të tërhiqet, por ai nuk e kupton këtë dashamirësi dhe vazhdon të hyjë llugave edhe më keq. Ia humbi zgjedhjet AKI-së duke i quajtur shqiptarë ‘zagarë’ dhe tash edhe më rëndë – 100 e sa mijë shqiptarët që kanë votuar për VLEN-in i quan ‘serbë të Gazimestanit’.”

Sipas tij, me këtë qasje, Ahmeti po e dëmton jo vetëm partinë e tij, por edhe gjithë opozitën shqiptare.

“Për neve si VLEN na bëni nder nëse ky Ali, me këtë diskurs, vazhdon të qëndrojë në krye të BDI-së, por ai po e merr në qafë jo vetëm partinë e tij, por edhe gjithë opozitën shqiptare.”

Ibrahimi theksoi se votuesit shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, meritojnë respekt:
“O Ali, shqiptarët e RMV-së, pra edhe ata që kanë votuar për VLEN, edhe ata që kanë votuar për AKI, në asnjë rast nuk janë serbë të Gazimestanit, por janë kombi krenar që të dielën që shkoi ka shprehur pjekuri demokratike dhe ne e respektojmë vullnetin e tij.”

Në fund, ai i drejtoi një pyetje ironike liderit të BDI-së.

“Nëse je fitues i zgjedhjeve, pse nuk dole të festosh dhe pse deri sot nuk u paraqite para mediave? Sa keq që ndërdija e tradhton njeriun!”

“Nejse, ne kemi mirëkuptim për gjyshërit tanë”, ka shkruar Ibrahimi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button