Ibrahimi: Nuk kishte asnjë arsye që shtetasit e Maqedonisë së Veriut të ndahen në rezident dhe jo rezident!

Kryetari i Alternativës dhe njëri prej liderëve të VLEN, Zeqirija Ibrahimi, mori pjesë në emisionin “INTERVISTA E DITËS” në Alsat-M.
I pyetur rreth përfshirjes së diasporës në jetën politike në Maqedoninë e Veriut dhe kontributit të tyre,ai ka nënvizuar se BDI poshtëroi se nënçmoi rrolin e tyre duke i ndarë në popullsi jo rezidente.
“Fillimisht më duhet të shpjegoj se këtë shpikjen si rezident dhe jo rezident e bënë ata. Nuk kishte asnjë arsye që të bëhej ajo. Dhe u rrëzua si terminologji. Për shkak se, ata që janë qytetar të Maqedonisë së Veriut që kanë shtetësi të Maqedonisë së Veriut, të gjithë janë
banorë të këtij vendi dhe nuk ka asnjë arsye që ata të kategorizohen në grafe të tilla. Që pastaj e ka imponuar këtë gjendje të këshilltarëve. Realisht ne do të punojmë që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të bëhet mbi kritere të këtilla. Dhe të mos kemi më stratifikim të këtillë të kategorisë së popullsisë. Që të mos jemi as injorues e poshtrues ndaj diasporës, por të jemi vlerësues për kontributin që ata e japin për zhvillimin e vendit tonë”, deklaroi Ibrahimi.