Ibrahimi: Në zgjedhjet lokale të vitit 2025 e përmbyllëm misionin duke e dërguar klasën politike të BDI-së në opozitë

Zeqirija Ibrahimi, lideri i deritanishëm i Alternativës ka marr pjesë në emisionin Dialog te Lajmi te gazetari Fejzi Hajdari.
Ibrahimi duke folur për arsyetimet se pse ka dhënë dorëheqje nga Alternativa ai ka sqaruar se në vitin 2025 e ka realizuar misionin me dërgimin e klasës politike të BDI-së në opozitë.
“Pas kësaj përvoje të gjatë politike, gjykoj që duhet të fillojmë të vendosim edhe standarde të reja të pjesëmarrjes në skenën politike. Unë e di që kemi shumë argumente që duhet të vazhdohet dhe sigurisht që nuk është që unë nuk i kam menduar edhe ato. Por, jam prirë nga gjykime të tjera. D.m.th. në vitin 2025 me zgjedhjet lokale që u bënë, si të thuash u bë një resetim i skenës politike shqiptare. Po përmbyllet qeverisja njëzet e ca vjeçare e BDI-së dhe po ndërtohet një klasë e re politike. Nëse këto dy vitet e fundit ka qenë një betejë që të konsolidohet një klasë politike që e përmbysë këtë klasën e BDI-së unë mendoj që viti 2025 veçse e ka arritur këtë sukses. Tash e tutje, ashtu siç e kam shpjeguar pak në tekst kërkohet një riformatim i skenës politike. Kërkohet që liderët politik shqiptarë, por jo vetëm klasa politike shqiptare, këtu duhet të ndihmojnë edhe analistët, edhe opinionistët, edhe ekspertët, ku shqiptarëve u duhet një ristrukturim i skenës politike. Në këtë aspekt unë nuk jam i kënaqur që ne ta përmbyllim gjithë këtë cikël duke e thënë se u bë vetëm një sukses elektoral. Sfidat të cilat vijnë tash janë akoma më të mëdha se çfarë kanë qenë. Për mua personalisht është e mjaftueshme që u bë kjo punë e suksesshme se vërtetë e kam besuar se duke e pasur një klasë politike si BDI-ja në skenë nuk ishte e mundur të vijnë në shprehje plot figura të reja, plot njerëz të ri, energji e re politike shqiptare në Maqedoni. Në kohën që është bërë kjo, tashmë është evidente se është bërë kjo, unë gjykoj se duhet të rimendohet politika shqiptare. Duhet të ridefinohet edhe politika jonë se çka do të bëjmë në këtë shtet ”, deklaroi Ibrahimi.



