Ibrahimi: Në homazhet për Shpat Kasapin, kujtuam një artist që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën dhe kujtimet tona kolektive

Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka marrë pjesë sot në mbledhjen komemorative të organizuar nga Komuna e Çairit në nder të këngëtarit tashmë të ndjerë, Shpat Kasapi. Në këtë ceremoni të mbushur me emocione dhe reflektim, të pranishmit u bashkuan për të nderuar jetën dhe veprën e artistit që la gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore shqiptare.
Ibrahimi vlerësoi Shpat Kasapin si më shumë se një artist, duke e cilësuar atë si simbol të buzëqeshjes, energjisë së mirë dhe artit që lidhej drejtpërdrejt me zemrat e njerëzve. Ai theksoi se këngët e Shpatit janë bërë pjesë e kujtimeve kolektive, gëzimeve dhe momenteve që kanë bashkuar shoqërinë.
Në fund, lideri i Alternativës shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen Kasapi, miqtë, kolegët dhe gjithë popullin shqiptar, duke theksuar se Shpat Kasapi do të kujtohet përgjithmonë me respekt, falënderim dhe dashuri.


