Ibrahimi nderon 15 Korrikun: Një ditë që e skaliti emrin e fitores në histori

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup, me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Të ftuar nga ambasadori turk Fatih Ulusoy, përfaqësuesit e lartë institucionalë shqiptarë nderuan këtë ditë simbolike për popullin turk, e cila shënon rezistencën ndaj tentativës për grusht shteti në vitin 2016.
Në një status publik, Ibrahimi theksoi se kjo ditë përkujton vendosmërinë e qytetarëve të Turqisë për të mbrojtur sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit të tyre, përballë kërcënimit të organizatës terroriste FETO. Ai nënvizoi rëndësinë e kësaj fitoreje për demokracinë dhe vlerat themelore të një shteti ligjor.
Ceremonia u zhvillua nën moton “Turqia – emri i fitores”, duke reflektuar rëndësinë e unitetit dhe vullnetit qytetar për të mbrojtur institucionet demokratike.



