Ibrahimi: Mesazhi im nga Tetova është i qartë: dilni masivisht dhe rrethoni numrin 7

Në mbyllje të fushatës zgjedhore të koalicionit VLEN në Tetovë, një prej drejtuesve të tij, Zeqirija Ibrahimi, u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht në zgjedhjet e 19 tetorit dhe të votojnë për kandidatin për kryetar komune, Bilall Kasamin.
“Sonte, në Tetovën e Bilall Kasamit, së bashku me drejtuesit e koalicionit VLEN, po e përmbyllim fushatën me tubimin qendror në qytet. Mesazhi im nga Tetova është i qartë: dilni masivisht dhe rrethoni numrin 7, për Bilall Kasamin dhe për një mandat të plotë që garanton vazhdimin e punëve dhe projekteve të nisura”, shkroi Ibrahimi.
Ai theksoi se gjatë katër viteve të fundit, Tetova ka pësuar ndryshime të dukshme dhe se mandati i ri do të shënojë “kapitullin e dytë” të zhvillimit të saj.
“Në vetëm katër vite, Tetova ka ndryshuar ndjeshëm. Tani, me kapitullin e dytë, vjen transformimi i plotë!”, theksoi ai.
Në reagimin e tij, Ibrahimi kritikoi qasjen e kundërshtarëve politikë, të cilët sipas tij, kanë ndërtuar fushatën mbi ofendime dhe nënçmime ndaj shqiptarëve.
“Ndërsa kundërshtari e kaloi fushatën me ofendime e nënçmime ndaj shqiptarëve, ne ishim të përqendruar në ide, projekte dhe zgjidhje konkrete për qytetarët”, shtoi ai.
Në fund, ai përsëriti thirrjen për mbështetje të gjerë më 19 tetor:
“Rrethoni numrin 7, votoni për zhvillimin që Ia VLEN!”