Ibrahimi: Mërgatën shqiptare e tradhtuan ata që në vitin 2021 i regjistruan si jorezident

Kryetari i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, njëherit edhe njëri prej liderëve të VLEN në një intervistë për MIA ka komentuar kontestimin e regjistrimit të popullsisë, duke theksuar se mërgatën shqiptare e kanë tradhtuar ata që i kanë regjistruar si jo rezident.
Kjo, nuk d.m.th. se luhatet fakti se shqiptarët në këtë shtet janë afër 30 % dhe se dëmtohen të drejtat etnike të tyre.
“Realisht më duhet të saktësoj se këtë temë nuk e ka hapur VLEN-i, por kjo u bë temë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e anuloi vendimin që ka qenë atëherë që regjistrimi të zhvillohet duke i regjistruar qytetarët si rezident dhe si jo rezident. Ne, thjeshtë u përgjigjëm. Duke e parë faktin e këtillë i bie që ata të cilët e kanë bërë regjistrimin e atij viti, nëqoftëse mund ta përdorim atë term që e përdorë opozita që ata faktikisht e kanë tradhtuar mërgatën shqiptare për shkak se në mënyrë të padrejtë e kanë vendosur kategorinë e qytetarëve jo rezident. Ky ka qenë reagimi i ynë që ta saktësojmë, sepse ata gjithnjë po thirren në mbrojtjen e të drejtave etnike shqiptare dhe në gardian të shqiptarëve. Por, realisht ata të cilët i kanë dëmtuar shqiptarët janë pikërisht ata. Për shkak se mërgatën shqiptare e kanë vendosur në kategorinë e qytetarëve jo rezident. Qëllimi ynë është që të gjithë shqiptarët, të gjithë shtetasit e këtij vendi të janë të përfshirë në numrin e përgjithshëm të popullatës dhe të mos lejohet të diskriminohet askush, pavarësisht se gjatë vitit, sa kohë kalon në vendlindje ose jo, kjo është një çështje tjetër. Kurse ne nuk mund ti gjykojmë qytetarët se ata janë me punë të përkohshme diku jashtë vendit. Gjithsesi, kjo nuk e luhat faktin se shqiptarët janë afër 30 % dhe kjo nuk e dëmton aspak korpusin e të drejtave etnike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ”, deklaroi Ibrahimi.



