Ibrahimi: Marrëveshja e Ohrit i dha fund diskriminimit ndaj shqiptarëve

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka kujtuar 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, duke e cilësuar atë si një moment historik për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Së bashku me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, morëm pjesë në pritjen e organizuar nga zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, me rastin e 24-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo datë është historike për shqiptarët e Maqedonisë, pasi shënon fundin e një epoke diskriminimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga institucionet e shtetit,” ka shkruar Ibrahimi.
Ai ka theksuar se arritjet e kësaj marrëveshjeje sot janë të prekshme në jetën institucionale të vendit.
“Sot, 24 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, me krenari mund të themi se kemi Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuatë. Tashmë përfaqësimi i shqiptarëve nuk varet nga ekuacionet programuese si balancuesi, por buron nga Ligji dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut,” ka theksuar lideri i Alternativës.