Ibrahimi: Iftar në Gostivar, një mbrëmje e mbushur me frymën e Ramazanit

Lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka shtruar iftar për strukturat partiake në Gostivar.
Statusi i plotë i Ibrahimit në Facebook:
Sonte në Gostivar, si Alternativë shtruam një iftar për strukturat tona partiake – një mbrëmje e mbushur me frymën e Ramazanit, vëllazërisë dhe bashkimit shpirtëror. Në këtë tubim të ngrohtë, pata kënaqësinë të ndaj disa fjalë përshëndetëse me të pranishmit.
Fola për madhështinë dhe domethënien e Ramazanit – një muaj që nuk është vetëm agjërim nga ushqimi, por mbi të gjitha, një kohë për pastrim të brendshëm, reflektim dhe rikthim te vlerat që na udhëheqin.
Në këtë kontekst, theksova se ne si funksionarë të Alternativës nuk duhet ta harrojmë kurrë se nga kemi ardhur dhe si kemi arritur në këto pozita. Pozitat nuk janë privilegj, por përgjegjësi. Janë besim i dhënë nga njerëzit, të cilët presin prej nesh ndershmëri, përulësi dhe punë të pakompromis për interesin publik.
Muaji i Ramazanit duhet të na shërbejë si moment reflektimi, që të pastrojmë jo vetëm zemrat tona, por edhe mendjet dhe qëllimet. Kjo është edhe një thirrje për të gjithë ne – që lufta më e madhe që duhet ta bëjmë, është ajo kundër korrupsionit, padrejtësisë dhe neglizhencës.
Vetëm në këtë mënyrë, Alternativa do të mbetet jo vetëm një subjekt politik, por një lëvizje që mishëron ndryshimin dhe vlerat e vërteta që i duhen shoqërisë sonë.