Ibrahimi dënon ashpër dhunën ndaj nxënësve: Nuk do të lejojmë përsëritjen e skenarëve të së kaluarës

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj disa nxënësve shqiptarë mbrëmjen e kaluar, duke e cilësuar akt të papranueshëm dhe duke theksuar se autorët tashmë janë përballë drejtësisë.
“E dënojmë ashpër dhunën e ushtruar mbrëmjen e kaluar ndaj nxënësve nga disa huliganë. Autorët e këtij akti të shëmtuar tashmë janë vënë përpara drejtësisë dhe institucionet janë të përkushtuara për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari”, theksoi Ibrahimi.
Ai gjithashtu reagoi edhe ndaj sulmeve e presioneve ndaj mediave dhe gazetarëve.
“Dënojmë çdo formë dhune, presioni ose linçimi të gazetarëve dhe lirisë së fjalës. Media e lirë dhe e pavarur është shtyllë thelbësore e demokracisë së çdo shteti që synon të ketë demokraci të avancuar europiane”, tha ai.
Lideri i Alternativës paralajmëroi se po shfaqen tendenca për destabilizim, por se ato nuk do të kenë sukses.
“Tendencat për destabilizim dhe përpjekjet për ta minuar shtetin demokratik janë të dukshme, por ne jemi të vendosur që të mos lejojmë përsëritjen e skenarëve të njohur nga e kaluara, të cilët tashmë kanë treguar epilogun e tyre të dështuar”, deklaroi Ibrahimi.