Ibrahimi: BDI nuk flet për listën e zezë, Soravian dhe Gruevskin, ndërsa shesin moral në Facebook

Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke akuzuar kundërshtarët politikë për hipokrizi dhe heshtje të qëllimshme përballë arritjeve të qeverisë së re dhe skandaleve të ish-qeverisë.

“Së pari akuzonin se nuk bëhet shkolla në Çashkë (si në kohë të tyre) dhe kur ajo u bë, ata heshtin dhe nuk e përmendin më,” shkruan Ibrahimi, duke theksuar se njësoj ka ndodhur edhe me projektin e Korridorit 8. “Thoshin se do të ndalet Korridori 8 dhe kur ai po vazhdon me dinamikë të përshpejtuar, ata nuk e përmendin më”, shtoi ai.

Sipas Ibrahimit, kritikat për anulimin e ligjit për gjuhën shqipe janë zbehur sapo u bë e qartë se një gjë e tillë nuk është në rend dite. “Ata e kanë bërë gjuhë të përkthyer dhe tani as kësaj teme nuk i vjen më rendi”, shkruan ai.

Ibrahimi thekson se edhe çështjet e mëhershme të shpërndara në rrjete sociale janë “arkivuar me heshtje”, siç janë fotot nga kolonat në Bllacë.

“Kur u bënë pikat kufitare ‘One Stop Shop’ në Jazhincë e në Bllacë, edhe ato pamje i hoqën nga profilet e tyre”, vijon Ibrahimi.

Ai gjithashtu përmend investimet në komunat shqiptare, rritjen e pagave, mbështetjen për Universitetin “Nënë Tereza” dhe rritjen e pensioneve si shembuj të përmirësimeve konkrete, të cilat, sipas tij, kundërshtarët nuk kanë guxim t’i pranojnë publikisht.

“Kur nuk kanë më temë tjetër, këto ditë e kanë çështje se ‘po punësohen maqedonasit dhe jo shqiptarët’. Deri në fund të korrikut do të kemi 2500 punësime dhe avancime të shqiptarëve”, deklaron Ibrahimi.

Megjithatë, sipas tij, çështjet që nuk përmenden fare janë më domethënëse: “E vetmja gjë që nuk duan të flasin është se ku është Artan Grubi dhe si u bë ai dhe Ramiz Merko i tyre të jenë në listën e zezë amerikane”.

Ai gjithashtu hedh akuza për pasurim të paligjshëm: “Nuk duan të flasin se si u bë familja Ahmeti pronare e qendrës tregtare ‘Soravia’ në qendër të Shkupit”.

Ibrahimi përmend edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe marrëveshjet me presidentin Pendarovski për kthimin e Gruevskit, si dhe të kaluarën e errët të qeverisjes së BDI-së.

“Nuk duan të flasin as për kohën kur gratë shqiptare tërhiqeshin zvarrë nëpër burgje dhe ata bënin sefa në qeveri. Ata ishin në qeveri dhe kishin zëvendësministër të Punëve të Brendshme kur u vra Harun Aliu”, shkruan ai.

Në fund, Ibrahimi përmbyll me një mesazh për elektoratin: “Ata një gjë nuk e kanë kalkuluar – populli edhe kur nuk ta thotë, nuk ta harron. Jeni libër i lexuar dhe çkado që të thoni, kot e keni.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button