Ibrahimi: Abdi Baleta, peshorja e nacionalizmit progresiv shqiptar

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar me pikëllim për ndarjen nga jeta të publicistit dhe intelektualit të shquar, Abdi Baleta.

“Abdi Baletën e kam njohur përmes librit ‘Shqiptarët përballë terrorizmit intelektual të Falaçit’ dhe pastaj përmes revistës ‘Rimëkëmbja’, shkrimet e të cilit i lexoja jo si vetëm opinione të thjeshta politike, por më shumë si ligjërata mbi nacionalizmin shqiptar”, shkruan Ibrahimi.

Ai kujton edhe takimet personale me të, si dhe rolin e tij në revistën “Shenja”:

“Më vonë kam pasur rastin ta takoj edhe personalisht dhe të bashkëbisedoj me të, ndërsa pas vitit 2011, kur ai u bë autor i rregullt i revistës ‘Shenja’, nuk ka asnjë shkrim që nuk e kam lexuar me shumë pasion e admirim”.

 

Për Ibrahimin, Baleta ka qenë i dalluar për konsistencë, guxim dhe mendim origjinal politik:

“Përveçse unik e konsistent në mendimin e tij politik e në ligjërimin nacionalist, ai ishte i guximshëm që ta shprehë mendimin e tij edhe kur ai nuk i përshtatej asaj që ishte opinioni standard në debatin politik shqiptar. Shkrimi i tij i fundit për Ahmet Zogun, i botuar në numrin e shtatorit të revistës ‘Shenja’, ishte një shkrim tipik i këtillë”.

Duke e lexuar për vite me radhë, Ibrahimi thotë se Baleta ka ndikuar edhe në konsolidimin e bindjeve të tij politike:

“Duke e lexuar ndër vite Abdi Baletën, përveç përfitimit intelektual, kam pasur mundësi që ta konsolidoj edhe mendimin tim politik, që më ka shërbyer jashtëzakonisht shumë në angazhimin tim politik”.

Ai shprehet thellësisht i pikëlluar për humbjen e tij:

“Lajmi për largimin e tij nga kjo botë më pikëlloi pa masë, sepse kështu nuk kemi humbur vetëm një pendë aq prodhimtare publicistike, por e kemi humbur edhe njeriun që për vite të tëra ishte bërë peshore e nacionalizmit progresiv shqiptar”.

Në fund, Ibrahimi përcjell ngushëllimet:

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të tij! Zoti e pastë mëshiruar shpirtin e tij!”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button