Hungaria ka miratuar hyrjen e Suedisë në NATO

Parlamenti i Hungarisë votoi të hënën për të ratifikuar ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duke i dhënë fund vonesave prej më shumë se 18 muajsh që kanë frustruar aleancën ndërsa ajo kërkon të zgjerohet në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton AP.

Votimi, i cili kaloi me 188 vota pro dhe gjashtë kundër, erdhi si kulmi i insistimit disamujor nga aleatët e Hungarisë për të bindur qeverinë hungareze të heqë bllokimin ndaj anëtarësimit të Suedisë.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orbán ka paraqitur në parlament protokollet për miratimin e hyrjes së Suedisë në NATO në korrik 2022, por çështja ka ngecur në parlament për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve të partisë në pushtet.

Pranimi i vendeve të reja kërkon mbështetje unanime nga të gjithë anëtarët e NATO-s dhe Hungaria është e fundit nga 31 anëtarët e aleancës që ka dhënë mbështetjen e saj pasi Turqia ratifikoi kërkesën muajin e kaluar.

Kryeministri suedez Ulf Kristerson e quajti aktin një “ditë historike”.

“Ne jemi gati të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për sigurinë e NATO-s,” shkroi Kristerson në platformën X (ish-Twitter).

Orban, për të cilin AP thotë se është një populist i krahut të djathtë me lidhje të ngushta me Rusinë, tha se kritikat ndaj demokracisë hungareze nga politikanët suedezë kishin acaruar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe çuan në hezitim midis ligjvënësve në partinë e tij Fides.

Por votimi i së hënës hoqi pengesën përfundimtare për anëtarësimin për Suedinë, e cila, së bashku me Finlandën fqinje, aplikoi për herë të parë për t’u bashkuar me aleancën në maj 2022, vetëm disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë.

“Bashkëpunimi ushtarak midis Suedisë dhe Hungarisë dhe pranimi i Suedisë në NATO forcojnë sigurinë e Hungarisë,” tha Orban më 26 shkurt.

Orbán ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe aleatët e NATO-s për rritjen e presionit ndaj qeverisë së tij muajt e fundit.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button