Hulumtim nga Haaretz: Operacionet ushtarake izraelite vranë të paktën 20 pengje në Gaza

Operacionet ushtarake izraelite rrezikuan jetën e të paktën 54 robërve izraelitë në Gaza, 20 prej të cilëve u vranë, tha një hetim i gazetës izraelite Haaretz i publikuar të premten, transmeton Anadolu.
E përditshmja tha në hetimin e saj se gjatë 601 ditëve të konfliktit, duke filluar më 7 tetor 2023, veprimet e ushtrisë izraelite, përfshirë sulmet ajrore, çuan në vdekjen e robërve ose drejtpërdrejt ose përmes “ekzekutimit nga rrëmbyesit e tyre për shkak të aktivitetit ushtarak afër vendndodhjes së tyre”.
Hamasi ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e gazetës për vrasjen e robërve izraelitë.
Haaretz tha se ndërsa qindra sulme u shmangën për shkak të shqetësimeve për afërsinë e pengjeve, ushtria autorizon sulme brenda një “distance të sigurt” prej disa qindra metrash.
“Sa më shumë sulme të ketë, aq më i madh është rreziku”, ka thënë një burim ushtarak për Haaretz.
Një tjetër ka pranuar se “Kur nuk ka informacion (për robërit), sulmi vazhdon”.
Hetimi bie ndesh me pretendimet zyrtare të ushtrisë për marrjen e masave maksimale paraprake për të mbrojtur pengjet.
Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga sulmi i tetorit 2023 nga Hamasi, që rezultoi në 1.200 persona të vdekur dhe 250 pengje. Që atëherë, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 54.000 palestinezë, ka shkatërruar enklavën dhe ka shkaktuar uri të përhapur.
Izraeli vlerëson se 58 pengje mbeten në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë.
Ndërkohë, më shumë se 10.000 palestinezë mbahen në burgjet izraelite në kushte të vështira, duke përfshirë raportime për tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve kanë akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për zgjatjen e luftës për të qetësuar partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë dhe për të ruajtur pushtetin.