HRW: Izraeli kreu krime lufte gjatë okupimit të spitaleve në Gaza

Forcat izraelite kanë kryer krime lufte kundër pacientëve të sëmurë gjatë okupimit të spitaleve në Rripin e Gazës, tha të enjten Human Rights Watch (HRW).

Organizata për të drejtat e njeriut deklaroi se ushtria “shkaktoi vdekje dhe vuajtje të panevojshme” për rreth 84 pacientë palestinezë gjatë okupimit të institucioneve mjekësore, duke mohuar furnizimin me energji elektrike, ujë, ushqim dhe ilaçe.

Dëshmitarët në tre spitale raportuan gjithashtu se ushtarët qëlluan mbi civilët, keqtrajtuan dhe zhvendosën me forcë punonjësit shëndetësorë dhe pacientët. Ata thanë gjithashtu se ushtarët qëllimisht sulmuan objektet dhe pajisjet mjekësore – akte që HRW i ka cilësuar si krime lufte.

Raporti bazohet në intervista me nëntë pacientë dhe dy punonjës shëndetësorë që ishin dëshmitarë të sulmeve dhe okupimeve izraelite në kompleksin mjekësor al-Shifa në Gaza City në nëntor 2023 dhe mars 2024, spitalin Kamal Adwan në Beit Lahia në janar 2024 dhe kompleksin mjekësor Nasser në Khan Younis në shkurt 2024.

Stafi mjekësor raportoi se bllokada izraelite e spitaleve, e cila pengoi qasjen e ambulancave dhe furnizimeve mjekësore, e bëri të pamundur trajtimin dhe çoi drejtpërdrejt në vdekjen e pacientëve të plagosur dhe atyre me sëmundje kronike, përfshirë fëmijët që vareshin nga dializa.

Dr. Khalif Abu Samra, një punonjës shëndetësor në al-Shifa, i tha HRW se kishte parë personelin duke shkëputur një pacient nga respiratori për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Forcat izraelite gjithashtu evakuuan me forcë spitalet, duke mos ofruar pothuajse asnjë ndihmë për ata që ishin në barela dhe karrige me rrota dhe qëlluan mbi pacientët dhe ambulancat që po përpiqeshin të largoheshin.

Asnjë rrugë e sigurt

Më 13 tetor 2023, ushtria izraelite lëshoi një urdhër dëbimi për Gazën veriore, përfshirë al-Shifa-n, spitali më i madh në Palestinë, ku po strehoheshin 50,000 njerëz të zhvendosur.

Ky urdhër u dha pavarësisht mungesës së një rruge të sigurt për të dalë nga kompleksi.

Kur spitali tentoi të evakuonte pacientët, sulmet ajrore izraelite goditën ambulancat. Një sulm vrau ose plagosi të paktën 21 persona, përfshirë pesë fëmijë.

Ridana Zukhra, 23 vjeçe, raportoi se një tank izraelit hapi zjarr mbi të ndërsa përpiqej të largohej nga spitali me fëmijët, vëllain dhe kushëririn e saj. Vajza e saj pesëvjeçare u plagos aq rëndë saqë iu desh të amputohej një këmbë.

Më 12 nëntor, forcat izraelite rrethuan spitalin, i cili strehonte rreth 600 pacientë në atë kohë, përfshirë foshnje të lindura para kohe dhe pacientë në dializë. Izraeli ndërpreu aksesin dhe furnizimin me energji elektrike, duke shkaktuar vdekjen e rreth 40 pacientëve midis 11 dhe 17 nëntorit 2023.

Më 15 nëntor, trupat izraelite sulmuan spitalin. Shahad al-Qutaiti ishte duke marrë trajtim në atë kohë për plagët e marra nga një sulm ajror më 11 tetor që vrau burrin dhe vjehrrën e saj. Ajo kishte lindur një foshnjë të vdekur vetëm disa ditë para bastisjes.

Ajo kujton se forcat izraelite hodhën “një granatë me zhurmë dhe një granatë tymuese përmes dritareve për të detyruar njerëzit të zbrisnin poshtë”.

Ushtarët urdhëruan evakuimin më 17 nëntor. Sipas Dr. Abu Samra, rreth 150 pacientë nuk mund të lëviznin, përfshirë ata në koma, ata me amputime të dyfishta dhe foshnje të lindura para kohe.

Sipas raporteve mediatike dhe agjencive të OKB-së, pesë foshnje të lindura para kohe vdiqën në spital midis 11 dhe 19 nëntorit. Abu Samra raportoi se të paktën 10 pacientë në dializë “refuzuan të largoheshin” dhe ai nuk kishte “asnjë ide” se çfarë ndodhi me ta.

Një mjek tjetër raportoi se një paciente në maternitet vdiq pasi u transferua në një tjetër spital që nuk kishte kujdes intensiv të mjaftueshëm.

Kur forcat izraelite u tërhoqën nga al-Shifa në fillim të prillit 2024 pas një rrethimi të dytë dyjavor, ndërtesat ishin reduktuar në rrënoja dhe kufoma ishin shpërndarë në të gjithë kompleksin.

Me qasje të kufizuar në varreza dhe morgje të mbushura me trupa, familjet u detyruan të hapnin varre të përkohshme në oborret e spitalit. Disa viktima u varrosën në varre masive nga trupat izraelite gjatë sulmit të tyre.

Më herët këtë muaj, gjatë armëpushimit të shkurtër, ekipet e mbrojtjes civile në Gaza filluan zhvendosjen e trupave nga oborret e spitalit në varrezat e qytetit.

‘Qendra vdekjeje dhe keqtrajtimi’

Ushtria izraelite ka justifikuar vazhdimisht sulmet ndaj spitaleve në Gaza me pretendimin se ato përdoren nga grupet e armatosura palestineze si “qendra komanduese ushtarake”, por nuk ka ofruar prova të verifikueshme për këto akuza.

HRW theksoi se sulmet ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor janë shkelje e ligjit humanitar ndërkombëtar.

Ndërsa organizata pranoi se institucionet mjekësore mund të jenë objektiv nëse “përdoren për të kryer akte të dëmshme ndaj armikut”, ajo shtoi se “prania e të plagosurve apo të sëmurëve të armatosur nuk e bën një spital objektiv të ligjshëm për sulm”.

“Ndërsa forcat izraelite ushtruan kontroll mbi spitalet, ato ishin gjithashtu të detyruara sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut të respektonin, mbronin dhe garantonin të drejtën për kujdes shëndetësor në nivelin më të lartë të mundshëm,” thuhet në raport.

Bill Van Esveld, drejtor i asociuar për të drejtat e fëmijëve në HRW, tha: “Ocupimi i spitaleve në Gaza nga ushtria izraelite i ka shndërruar këto vende shërimi në qendra vdekjeje dhe keqtrajtimi.”

“Ata që janë përgjegjës për këto abuzime të tmerrshme, përfshirë zyrtarë të lartë, duhet të mbajnë përgjegjësi,” shtoi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button