Horizonti i Republikës: Fan Noli dhe kuptimi filozofik i dështimit politik

Noli ishte përfaqësuesi i parë i madh i traditës republikane në historinë shqiptare. Programi i tij qeverisës, i shpallur në qershor 1924, përmbante një agjendë prej 20 pikash ku theksohej çrrënjosja e feudalizmit, reformimi i sistemit zgjedhor, vendosja e ushtrisë dhe xhandarmërisë nën kontroll civil parlamentar dhe largimi i tyre nga ndërhyrja politike, reformimi i administratës dhe financave, si dhe forcimi i parlamentit dhe i gjyqësorit. 

Sead ZIMERI, Kumanovë

Fan Noli zë një vend të veçantë në historinë politike dhe kulturore shqiptare. Peshkop ortodoks, shkrimtar dhe përkthyes, muzikolog dhe dirigjent, diplomat dhe, për një periudhë të shkurtër, kryeministër i Shqipërisë, ai mishëron një profil humanisti që sfidon kategoritë e zakonshme të politikës sonë. Në këtë kuptim, ai është më afër figurave republikane të traditës europiane – nga Machiavelli dhe Rousseau tek Kant-i dhe republikanët bashkëkohorë – sesa politikanëve oportunistë të kohës së tij.

Historiografia shpesh e ka përshkruar Nolin në mënyrë reduktuese. Austin-i (2012) e sheh si një politikan të papërgatitur dhe arrogant, që dështoi sepse nuk i kuptoi dinamikat e brendshme të vendit dhe tentoi të importojë ide të huaja pa marrë parasysh realitetin shqiptar. Fischer-i dhe Schmitt-i (2022) e theksojnë mungesën e konsolidimit të pushtetit dhe mbështetjes së qëndrueshme, si edhe indiferencën e Fuqive të Mëdha ndaj eksperimenteve demokratike në Ballkan. Sipas tyre, “përpjekja e tij ishte ndoshta fisnike, por arriti pak gjëra me natyrë pozitive” (f. 190). Në planin faktik, këto interpretime janë të sakta: qeverisja e tij ishte e shkurtër, reformat mbetën të parealizuara dhe mungesa e një baze të gjerë mbështetjeje e bëri qeverinë të brishtë. Por, fakti se një projekt politik nuk arrin të stabilizohet nuk është dëshmi se idealet që e frymëzuan ishin të gabuara. Për ta kuptuar këtë dallim, duhet të jemi të qartë mbi kuptimin e “dështimit politik”. 

Çfarë do të thotë të dështosh në politikë?

Një projekt politik mund të vlerësohet sipas dy standardeve të ndryshëm. I pari është standardi i efikasitetit, që mat aftësinë për të fituar dhe mbajtur pushtetin dhe për ta përdorur atë për të zbatuar reformat. I dyti është standardi i justifikimit, që mat forcën normative të idealeve që projekti artikulon dhe nëse ato mund të pranohen si arsye publike. Dështimi, sipas standardit të parë, është kontingjent, varet nga rrethanat dhe aleancat. Dështimi sipas standardit të dytë do të ishte substancial, sepse do të tregonte se idealet nuk mbijetojnë si arsye bindëse për rendin politik.

Nëse dështimi i tij interpretohet si dëshmi se idealet që ai përfaqësonte ishin të gabuara, atëherë kemi bërë një gabim konceptual. Historiografia serioze nuk e ka ngritur këtë akuzë – Austin (2012) dhe Fischer & Schmitt (2022) e lidhin dështimin e Nolit me rrethanat armiqësore, mungesën e përgatitjes politike dhe mungesën e mbështetjes së jashtme. Por, në diskursin publik shpesh këto dy nivele ngatërrohen, duke kaluar nga fakti se ai nuk arriti ta konsolidojë pushtetin tek pretendimi se idealet e tij ishin utopike ose të pavlefshme. Ky është një ngatërrim që duhet ndrequr.

Në rastin e Nolit, kjo ndarje është vendimtare. Empirikisht, qeveria e tij nuk arriti të konsolidonte një regjim funksional. Legalizimi elektoral mbeti i papërmbushur, reformat u bllokuan, mbështetja ndërkombëtare mungoi, kohezioni i kampit reformues u dobësua dhe klima e pasigurisë u thellua (Fischer & Schmitt, 2022). Këto janë shkaqet e një dështimi të qartë sipas standardit të efikasitetit. Por, nuk pason prej tyre se idealet e tij – liria si mosdominim, barazia si status qytetar, ndarja e pushteteve dhe neutraliteti fetar i shtetit – ishin të gabuara ose të parealizueshme. Të konkludosh të kundërtën do të ishte ta ngatërrosh testin e rezultateve me testin e arsyeve.

Noli si republikan dhe përmbajtja e projektit të tij politik

Republikanizmi është horizonti politik ku liria kuptohet si mosdominim, barazia si status i barabartë qytetar, pushteti ndahet e kontrollohet përmes institucioneve dhe shteti mbetet neutral ndaj fesë. Një rend është i drejtë vetëm nëse pengon që pakica të privilegjuara ose interesa klanore ta përdorin pushtetin sipas arbitraritetit të tyre.

Në këtë kuptim, Noli ishte përfaqësuesi i parë i madh i traditës republikane në historinë shqiptare. Programi i tij qeverisës, i shpallur në qershor 1924, përmbante një agjendë prej 20 pikash, ku theksohej çrrënjosja e feudalizmit, reformimi i sistemit zgjedhor, vendosja e ushtrisë dhe xhandarmërisë nën kontroll civil parlamentar dhe largimi i tyre nga ndërhyrja politike, reformimi i administratës dhe financave, si dhe forcimi i parlamentit dhe i gjyqësorit (Dielli, 19 qershor 1924). Ky ishte përkthimi konkret i idealeve republikane në kushtet shqiptare.

Reforma e marrëdhënieve të pronës dhe e sistemit fiskal synonte ta çlironte qytetarin nga dominimi ekonomik, duke e bërë pjesëmarrjen politike reale e jo formale. Zgjedhjet më të drejta dhe përfaqësimi më i gjerë do ta kthenin qytetarin në bashkëligjvënës, jo vetëm në subjekt të bindur. Ndarja e pushteteve dhe një gjyqësor i pavarur do të garantonte që liria të mos varej nga vullneti i një ekzekutivi arbitrar. Neutraliteti fetar do të siguronte që qytetaria të mos ishte privilegj i një komuniteti të caktuar, por status i përbashkët i të gjithëve.

Nëse i lexojmë këto reforma me gjuhën e filozofisë politike, programi i Nolit mishëron një traditë republikane të qartë: Machiavelli kërkonte institucione që frenojnë arbitraritetin dhe garantojnë lirinë përmes pjesëmarrjes; Rousseau e lidhte legjitimitetin me vetëqeverisjen e qytetarëve si trup politik; Kant-i e shihte rendin politik të drejtë vetëm nëse është i pajtueshëm me lirinë si autonomi, vetëqeverisje; ndërsa republikanizmi bashkëkohor e definon lirinë si mosdominim, pra gjendje ku askush nuk i nënshtrohet vullnetit arbitrar të tjetrit (Pettit, 1997).

Këtu shfaqet një tension konceptual i rëndësishëm. Nga njëra anë, idealet republikane janë të vlefshme në vetvete si kritere normative, ndërsa, nga ana tjetër, ato nuk mund të mishërohen pa kushte materiale dhe institucionale. Në Shqipërinë e vitit 1924 këto kushte mungonin: marrëdhëniet feudale ishin ende dominuese, aparati i forcës ishte i ndërthurur me politikën, ekonomia ishte e varur nga kapitali i jashtëm dhe kohezioni i kampit reformues ishte i brishtë. Ky dallim midis vlefshmërisë së parimeve dhe kapaciteteve për t’i realizuar ato është thelbësor për ta kuptuar rastin e Nolit.

Dështimi i Nolit në dritën e dy revolucioneve: suksesi praktik dhe suksesi normativ

Historia na tregon se ekzistojnë dy mënyra të ndryshme suksesi dhe dështimi: suksesi praktik, që nënkupton mbijetesën e një regjimi dhe zbatimin e reformave, dhe suksesi normativ, që nënkupton mbijetesën e parimeve si arsye publike të detyrueshme edhe përtej fatit të regjimit. Këta dy vlerësime nuk ecin gjithmonë bashkë: një regjim mund të mbijetojë duke shuar horizontin që e frymëzoi ose mund të rrëzohet shpejt, por të lërë pas një standard normativ që vazhdon të udhëheqë të ardhmen.

Revolucioni Francez e bën këtë dallim të dukshëm. Në vitin 1789 u artikulua me forcë parimi i sovranitetit popullor dhe i barazisë qytetare si bazë e legjitimitetit politik. Këto ideale u përqendruan në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit dhe shënuan lindjen e një horizonti të ri normativ për Europën. Megjithatë, vetë revolucioni nuk arriti ta stabilizonte një rend politik: luftërat me fuqitë monarkike, kryengritjet e brendshme dhe kolapsi financiar e shtynë drejt masave të jashtëzakonshme, si Komiteti i Shpëtimit Publik dhe Terrori. Në këtë pikë u shfaq rreziku që mjetet e emergjencës të përmbysnin idealin e shpallur. Por, emergjenca nuk u shndërrua në parim të përhershëm. Edhe kur regjimi ndryshoi, barazia qytetare dhe sovraniteti popullor mbetën kritere normative. Në këtë kuptim, revolucioni dështoi si regjim stabil, por fitoi si horizont normativ (Doyle, 2002).

Revolucioni Rus paraqet anën tjetër të medaljes. Në fillim të vitit 1917 dukej se ishin hapur mundësi të reja demokratike: sovjetët funksiononin si forma vetëqeverisjeje, ekzistonte pluralizëm socialist dhe emancipimi ishte një premtim real. Por, terreni armiqësor – lufta civile, ndërhyrjet e huaja, kriza ekonomike – i shtyu bolshevikët drejt pezullimit të garancive dhe përdorimit të dhunës si emergjencë. Me Stalinin, emergjenca u institucionalizua: terrori u bë metodë, kolektivizimi i detyruar shkatërroi një shtresë të tërë bujqësore, ligji u kthye në instrument arbitrariteti. Regjimi mbijetoi, por horizonti normativ i 1917-tës u shua (Fitzpatrick, 2008; Figes, 1996).

Nga këto dy raste del një mësim i qartë filozofik: një ideal nuk zhvlerësohet vetëm sepse nuk realizohet menjëherë, por komprometohet kur mjetet për ta ruajtur e shkatërrojnë nga brenda. Agamben-i (2005) ka treguar se gjendja e jashtëzakonshme, e menduar si përjashtim i përkohshëm, në modernitet ka prirje të shndërrohet në paradigmë të përhershme të qeverisjes. Në këtë mënyrë, kufiri midis rendit juridik dhe pezullimit të tij zbehet, duke rrezikuar që përjashtimi të bëhet normë.

Në këtë kornizë duhet parë edhe rasti i Nolit. Shqipëria e vitit 1924 ishte një terren jashtëzakonisht armiqësor: marrëdhënie feudale të rrënjosura, aparat force i ndërthurur me politikën, presion i fqinjëve, mungesë kapitali dhe kredish, hezitim i fuqive të mëdha për të mbështetur një eksperiment demokratik dhe një kamp reformues i brishtë e i fragmentuar (Austin, 2012; Fischer & Schmitt, 2022). Në këto kushte, dështimi praktik ishte pothuajse i pashmangshëm. Por, dallimi thelbësor është se ai nuk e komprometoi horizontin. Noli nuk e ktheu dhunën në metodë, nuk e ngriti gjendjen e jashtëzakonshme në parim qeverisjeje, nuk e përdori pushtetin si instrument arbitrariteti. Projekti i tij mbeti i papërmbushur, por jo i diskredituar: horizonti i një republike demokratike mbeti i pacenuar.

Veprimtaria parlamentare dhe diplomatike e Nolit

Noli hyri në politikën shqiptare pas zgjedhjeve të prillit 1921, kur u zgjodh deputet si përfaqësues i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Ai mori pjesë në legjislaturën e dytë të parlamentit, e cila zgjati deri në shtator 1923, duke u bërë një nga zërat më aktivë të opozitës kundër qeverive të kohës. Për një periudhë të shkurtër, e mbajti edhe postin e ministrit të Jashtëm në kabinetin e Xhafer Ypit, ku u përpoq të artikulonte vizionin e tij mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Paralelisht, ai u shfaq si udhëheqësi kryesor i Partisë Popullore, duke e vendosur veten në qendër të përpjekjeve për një politikë më liberale dhe parlamentare.

Fjalimet e tij parlamentare shquhen për kritikën ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, për kërkesën për decentralizim dhe për fuqizimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë. Në një kohë kur politika shqiptare dominohej nga pazaret mes klaneve dhe interesave lokale, Noli kërkonte ta vendoste jetën publike mbi standarde të përgjithshme drejtësie, duke e konsideruar qytetarin si subjekt të barabartë të ligjit, jo si klient të një patroni lokal. Ky ishte përkthimi praktik i horizontit republikan: legjitimiteti nuk duhej të vinte nga marrëveshje të fshehta mes elitave, por nga arsyet publike të pranueshme për të gjithë.

Kjo logjikë shihet edhe në projektligjet që ai mbështeti, për shembull në përpjekjet për reformën zgjedhore, në nismat për ta vendosur ushtrinë dhe xhandarmërinë nën kontroll civil parlamentar dhe për të shmangur ndërhyrjen e tyre në politikë, si edhe në përpjekjet për forcimin e gjyqësorit si pushtet i pavarur. Noli i shihte këto reforma jo thjesht si mjete teknike për funksionalizimin e shtetit, por si kushte themelore të lirisë së qytetarëve. Në një shoqëri ku ligji shpesh ishte instrument i fortëve, ai kërkonte që të bëhej kriter i barazisë. Ky vizion e vendoste në traditën republikane europiane, ku liria nuk kuptohet si privilegj i të fortit, por si gjendje e mbrojtur nga sundimi arbitrar i kujtdo.

Në planin e politikës së jashtme, Noli tregoi një angazhim të vazhdueshëm për fatin e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë pas vitit 1913. Në forumet ndërkombëtare, sidomos në Lidhjen e Kombeve, ai ngriti shqetësime për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në Çamëri, duke e parë këtë jo vetëm si çështje territoriale, por si problem moral dhe politik të të drejtave kolektive. Edhe pse përpjekjet e tij nuk patën sukses praktik, për shkak të mungesës së mbështetjes ndërkombëtare dhe dobësisë së shtetit shqiptar, ato tregojnë se vizioni i tij nuk kufizohej në kufijtë e ngushtë politikë të Shqipërisë, por kishte shtrirje normative më të gjerë: barazinë dhe vetëqeverisjen si të drejtë e çdo komuniteti shqiptar, kudo që ndodhej.

Ndërkohë, si kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, ai e mbrojti pranimin e Shqipërisë si shtet anëtar dhe i kundërshtoi pretendimet territoriale të fqinjëve. Argumentet e Nolit nuk mbështeteshin në forcën ushtarake ose në peshën ekonomike të Shqipërisë, por në fuqinë e një diskursi parimor: sovranitetin e shteteve të vegjël, barazinë juridike mes kombeve dhe të drejtën e popujve për vetëqeverisje. Këto janë të njëjtat parime që përbëjnë bërthamën e mendimit republikan: liria e një populli nuk është dhuratë e fuqive të mëdha, por e drejtë që buron nga pjesëmarrja dhe vetëqeverisja.

Kufizimet diplomatike të Nolit ishin të dukshme. Fuqitë e mëdha nuk kishin interes të investonin në një eksperiment demokratik në Ballkan; fqinjët ushtronin presion për çështjet kufitare; dhe Shqipëria nuk kishte kapacitete financiare për të garantuar stabilitet. Këto rrethana e bënë të pamundur që idealet e tij të gjenin përkrahje të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare. Por, ky dështim praktik nuk e komprometoi vlefshmërinë e parimeve që ai i artikuloi. Përkundrazi, përplasja e tyre me një terren armiqësor i bën edhe më të dukshëm kufijtë e një politike që matet vetëm me suksesin e fuqisë.

Nëse e lexojmë këtë kontrast me një lente filozofike, e shohim tensionin e përhershëm midis normës dhe faktit, midis idealit dhe realizueshmërisë. Realistët politikë do të argumentonin se fjalimet e Nolit në Lidhjen e Kombeve ishin retorikë pa forcë mbështetëse, prandaj të destinuara të dështonin. Por, kjo qasje humb një pikë thelbësore: edhe kur nuk sigurojnë rezultate të menjëhershme, idealet artikulojnë standarde me të cilat do të matet legjitimiteti i aktorëve politikë. Kjo është arsyeja pse Noli, edhe pse nuk fitoi aleatë të fuqishëm, mbetet një nga zërat e parë që përktheu kriteret e arsyes publike në gjuhën e diplomacisë shqiptare.

Nga ana tjetër, si kryeministër, Noli u përpoq të implementonte disa nga parimet e tij në administratë, arsim dhe financa, përfshirë çarmatimin e popullsisë dhe përpjekjet për disiplinimin e aparatit shtetëror. Por, mungesa e një baze të gjerë pushteti dhe izolimi ndërkombëtar i bënë këto përpjekje jetëshkurtra. Kjo tregon se idealet republikane nuk mjaftojnë pa një terren material dhe institucional që t’i mbajë gjallë. Por, ky është pikërisht dallimi që kemi nxjerrë: mungesa e suksesit praktik nuk e zhvlerëson normën, thjesht tregon kushtet e vështira për mishërimin e saj.

Aktualiteti i horizontit republikan

Të mendosh për Fan Nolin sot do të ishte e mangët nëse nuk do të pyesnim se çfarë mbetet e vlefshme nga trashëgimia e tij për politikën shqiptare të shekullit XXI. Është e lehtë të thuhet se Shqipëria e vitit 1924 nuk ka më ngjashmëri me Shqipërinë e sotme: feudalizmi është zhdukur, strukturat shtetërore janë më të konsoliduara, Shqipëria është pjesë e institucioneve ndërkombëtare dhe synon integrimin në Bashkimin Europian. Por, nëse e shohim në nivel normativ, sfidat që Noli artikuloi mbeten ende të pazgjidhura.

Së pari, problemi i dominimit nga interesa të ngushta. Në vitin 1924 ky dominim shfaqej përmes bejlerëve, klaneve lokale dhe ndërhyrjes së aparatit ushtarak në politikë. Sot ai merr forma të tjera: kapja e institucioneve nga oligarkë ekonomikë, kontrolli i partive politike nga kryetarë me pushtet pothuajse të pakufizuar dhe ndikimi i interesave të ngushta mbi proceset parlamentare. Struktura është ndryshe, por logjika mbetet e njëjtë: qytetarët rrezikojnë të kthehen në klientë dhe jo në pjesëmarrës të barabartë. Kriteri republikan i mosdominimit është po aq i rëndësishëm sot sa ishte në 1924.

Së dyti, çështja e ndarjes reale të pushteteve. Noli e kuptoi qartë se një parlament funksional dhe një gjyqësor i pavarur janë garancia që liria të mos mbetet në dorë të arbitraritetit ekzekutiv. Shqipëria bashkëkohore ka institucione formalisht të ndara, por shpesh mungon pavarësia reale: presioni politik mbi gjyqësorin, përdorimi i prokurorisë për qëllime elektorale dhe shndërrimi i parlamentit në instrument të shumicës qeverisëse, në vend që të funksionojë si forum i pavarur kontrolli mbi ekzekutivin, janë shenja se ndarja e pushteteve nuk është ende e brendësuar si kulturë politike. Në këtë kuptim, horizonti i Nolit mbetet një masë kritike me të cilën duhet matur funksionaliteti i demokracisë sonë.

Së treti, neutraliteti i shtetit ndaj fesë. Në vitet 1920 kjo ishte një çështje akute, pasi strukturat politike shpesh ndërthureshin me komunitetet fetare. Noli vetë, megjithëse peshkop ortodoks, kërkoi një shtet laik që garanton lirinë e ndërgjegjes. Në Shqipërinë e sotme, laiciteti është i sanksionuar me kushtetutë, por presioni i aktorëve fetarë për ndikim në fushat si arsimi, legjislacioni mbi familjen ose politikat publike, mbetet një sfidë reale. Mbrojtja e neutralitetit fetar nuk është çështje e tejkaluar, por kusht i domosdoshëm për barazinë qytetare.

Nga këto tri shembuj shihet qartë se Noli nuk duhet parë vetëm si një episod historik, por si themelues i një horizonti që ende nuk është realizuar plotësisht. Ky është kuptimi i vërtetë i tezës “dështim praktik, jo normativ”: ai humbi betejën e parë, por artikuloi kriteret që mbeten të vlefshme për çdo betejë të mëvonshme.

Filozofikisht, kjo na çon tek një reflektim më i gjerë mbi marrëdhënien mes historisë dhe normës. Një ideal që dështon praktikisht, por mbetet i vlefshëm si kriter legjitimiteti, është më shumë se një kujtim: ai bëhet pjesë e “arsyes publike” (Rawls, 1993), pra e gjuhës së përbashkët përmes së cilës gjykojmë rendin tonë politik. Kjo është arsyeja pse demokracitë nuk e matin veten vetëm me rotacion të pushtetit, por me pyetjen se sa u afrohen idealeve të lirisë dhe barazisë. Pa këtë matje normative, demokracia degradohet në teknikë të pushtetit.

Në këtë kuptim, Noli nuk është vetëm figurë historike, por një test për politikën shqiptare: a është në gjendje ajo të ngrihet mbi interesat e ditës dhe të përqafojë horizontin republikan që ai artikuloi? Përgjigjja nuk varet nga një figurë e vetme, por nga aftësia e shoqërisë për të bërë idealet e tij standarde kritike të institucioneve. Saherë që pushteti përdoret në mënyrë arbitrare, saherë që qytetari trajtohet si mjet e jo si subjekt i barabartë, saherë që feja përdoret për privilegje politike, ne shohim se sa larg jemi ende nga horizonti i 1924-tës.

Por, fakti që këto kritere mbeten ende masë kritike, kjo është dëshmi e forcës së tyre. Kjo është trashëgimia e vërtetë e Nolit: jo një regjim i stabilizuar, por një horizont republikan që vazhdon të jetojë si kriter për të ardhmen. Nëse historia e tij na mëson diçka, është se një humbje mund të jetë gjithashtu një themel. Dhe, ky themel, i ngritur mbi idealet e mosdominimit, barazisë dhe ndarjes së pushteteve, mbetet edhe sot një busull për demokracinë shqiptare.

Referenca

Agamben, G. (2005). State of exception (K. Attell, Trans.). University of Chicago Press.

Austin, R. C. (2012). Founding a Balkan state: Albania’s experiment with democracy, 1920–1925. University of Toronto Press.

Doyle, W. (2002). The Oxford history of the French Revolution (2nd ed.). Oxford University Press.

Figes, O. (1996). A people’s tragedy: The Russian Revolution, 1891–1924. Jonathan Cape.

Fischer, B. J., & Schmitt, O. J. (2022). A concise history of Albania. Cambridge University Press.

Fitzpatrick, S. (2008). The Russian Revolution (3rd ed.). Oxford University Press.

Pettit, P. (1997). Republicanism: A theory of freedom and government. Oxford University Press.

Rawls, J. (1993). Political liberalism. Columbia University Press.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button