Hetim për punonjësit e DAP: Dyshime për keqpërdorim dhe ryshfet në rastin e Koçanit

Kryeprokurori Lupço Kocevski, njoftoi sot se gjatë ditës së djeshme dhe sot po zhvillohet një procedurë parahetimore kundër personave të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP), të cilët në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me çështjen e rastit të zjarrit në diskotekën në Koçan, shkruan Alsat.

“Opinioni ishte informuar se po zhvillohej procedurë parahetimore për persona të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Sot janë privuar nga liria rreth dhjetë persona dhe aktualisht po kryhen kontrolle të të pandehurve të përfshirë në kallëzimin penal. Në këtë moment mund të them vetëm se bëhet fjalë për punonjës të DAP-së, ndërsa për veprat penale do të shohim më vonë. Sipas informacioneve fillestare, bëhet fjalë për veprat penale – keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, si dhe marrje dhe dhënie ryshfeti”, tha Kocevski.

Ai theksoi se procedura është e lidhur me lëndën për Koçanin, si dhe se për disa nga të ndaluarit janë dorëzuar komunikime elektronike dhe mesazhe përkatëse.

“Një pjesë e atyre komunikimeve që u paraqitën në opinion, pjesërisht janë të përfshira. Prokuroria ka dhënë deklaratë se një pjesë e atyre mesazheve elektronike janë dorëzuar në Gjykatë. Megjithatë, ajo ishte vetëm një pjesë që lidhej me atë lëndë, por ato kanë lidhje edhe me këta persona. Kjo është procedurë në lidhje me lëndën për Koçanin”, tha Kocevski.

Prokurori i ri publik kryesor shtoi se për momentin nuk mund të publikojë emrat e personave të përfshirë, dhe se opinioni do të njoftohet pasi të merren të dhënat personale të tyre. Lidhur me masat që do të propozohen ndaj të ndaluarve, do të merret vendim pasi të merren deklaratat e tyre.

Për çështjen tha se do të trajtohet nga Prokuroria në Koçan, meqë ajo është zona ku dyshohet se është kryer vepra penale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button