Heronj e terroristë

Jo gjithnjë vlen ajo maksima e Makiavelit se “mjetet arsyetojnë qëllimin”, pasi shpesh mjetet e devalvojnë qëllimin e drejtë! Çështja palestineze është shembulli më eklatant, por ekstremizmi ka qenë dhe është i pranishëm në shumë lëvizje popujsh…
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Në qendër të Shkupit, pranë Urës së Gurit, gjendet përmendorja e atentatorëve të Selanikut. Në historinë e popullit maqedonas, ata janë luftëtarë të kauzës për çlirim nga Perandoria Osmane. Është fjala për një grup atentatorësh nga Velesi, të quajtur “Gemixhii”, grup anarkist, të cilët prej 28 prillit e deri më 1 maj të vitit 1903 kryen një varg sulmesh terroriste në Selanik, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së publikut europian për gjendjen e popullit të Maqedonisë nën Perandorinë Osmane.
Në historinë e popullit maqedonas trajtohen si heronj, porse sulmet e tyre me bomba e mjete tjera shpërthyese, trajtohen si akte terroriste. Filmi i vitit 1961, “Atentatorët e Selanikut” (për kuriozitet, në këtë film ndoshta figurën historike më të njohur të këtij grupi, Pavell Shatevin, e luan aktori Istref Begolli), edhe më shumë e ngre portretin kolektiv të “gjemixhinjve”, e idealizon çdonjërin prej tyre, ashtu dhe siç mund të pritet nga pjesëmarrësit e një ngjarjeje, e cila e bëri të njohur çështjen maqedonase në përmasa ndërkombëtare, ndërkaq disa prej tyre edhe flijuan jetën. Për heroizmin e tyre është shkruar në librat e historisë, janë shkruar vepra letrare, u është kënduar këngë… Ata zgjodhën një qytet me qendra diplomatike, siç është Selaniku, që të mund të përçonin në qeveritë e Fuqive të Mëdha mesazhin për ekzistimin e problemit maqedonas. Për paradoks, anise ata goditën një anije (civile) franceze të ankoruar në port, postën, hekurudhën, bankën, rezervuarin e vajgurit dhe objekte të tjera të pushtetit otoman, ku mund të vdisnin edhe civilë… Akti mund të konsiderohet ekstremist dhe terrorist, por për fat, nga sa është shkruar, nuk ka pasur viktima civile! Ka pasur edhe përplasje të drejtpërdrejtë edhe me ushtrinë otomane. Kaosi i përgjithshëm, që është shkaktuar në qytetin e Selanikut, ka bërë jehonë të madhe pikërisht te Fuqitë e Mëdha.
Dilema se a të trajtohet si aksion çlirimtar ose terrorist, mund të jetë debat i hapur tash e 122 vjet, me gjithë dilemën nëse një kauzë e drejt mund të arrihet edhe me mjete ekstremiste, siç është terrorizmi ose akte të ngjashme. Kur e morëm këtë shembull, ia vlen t’ia bashkangjesim edhe një shembull tjetër të idealizuar, por që në thelb është po aq problematik: çeta e veprimtarit Jane Sandanski e rrëmben një qytetare amerikane, misionare e dërguar në Ballkan, Mis Stonin, e shoqëruar nga një shqiptare protestante, Katerina Cilku, me qëllim që nga babai i saj të kërkohet para. Mënyra se si është trajtuar në histori dhe në film, por dhe në shkrimet e kohës, është më tepër afirmative, pasi nga paratë e kërkuara, çeta e Sandanskit do të blinte armë në shërbim të lëvizjes çlirimtare të vet. Por, me gjithë këtë qëllim, rrëmbimi i civilëve është akt i papranueshëm, apo jo? (Që të jemi objektivë, shumëkush gjithë organizatën VMRO-së e trajton si një organizatë ku qërimet e hesapeve brenda saj kanë qenë shpesh me atentate e spastrime të pamëshirshme midis rrymash dhe, për paradoks, ata që janë vrarë mes vete, shumicën e kemi në përmendoret e projektit kontrovers identitar-historik “Shkupi 2014” të Gruevskit! Njërit prej tyre, Qoses, që kishte pasur detyrë të vrasë VMRO-istët jashtë linjës, po ashtu i qe ngritur përmendorja përballë Pallatit të Gjykatës, të cilin më vonë e hoqi qeveria e LSDM-së)
Këto dilema na sjellin edhe në historitë e mëvonshme, gjer në ditën tona, ku kufiri midis qëllimit të drejtë dhe mjeteve të papranueshme për ta realizuar, nuk është i panjohur. Kjo veçmas mund të shihet në lëvizjet e shumta në botën arabe e myslimane, veçanërisht në atë palestineze. Pas ndarjes së drejtë ose të padrejtë të Palestinës për ta krijuar shtetin e Izraelit, forcimin e shtetit hebre, nis tkurrja e Palestinës gjer në përmasa tragjike çfarë e kemi sot, si shprehje e mospajtimit të botës arabe dhe të vetë palestinezëve me ekzistimin e shtetit të Izraelit dhe përkrahjes së parezervë të Perëndimit gjer në maniakalizëm të veprimeve gjenocidale të këtij shteti ndaj Palestinës!
Diku në pranverë të vitit 2001, kur në Maqedoni, nga Sharri gjer në Likovë, tashmë kishte shpërthyer konflikti midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave policore e ushtarake të Maqedonisë dhe tema kryesore ishte se çka ishte kjo?! Përveç preokupimit të publikut me luftën, ishte edhe përpjekja që të bindet bashkësia ndërkombëtare se kjo lëvizje ushtarake ishte terroriste, për të relativizuar çdo kërkesë politike të tyre, me pretekstin se me terroristë nuk negociohet. Çështja ishte vërtet delikate, sepse në njërën anë kishte subjekt politik shqiptar në qeverinë që e organizonte luftën kundër UÇK-së, që u gjet e befasuar (pastaj do të hyjnë dy subjekte në qeverinë e zgjeruar për ta menaxhuar këtë situatë), kur këto parti (PDSH dhe PPD), e, në anën tjetër, po një lëvizje ushtarake që luftonte po për të drejtat e shqiptare. (Në një fazë të mëvonshme, do të duhej t’u bashkëngjiten politikisht kërkesave “të terroristëve” (Marrëveshja e Prizrenit midis Ali Ahmetit (UÇK), Arbër Xhaferit (PDSH) dhe Imer Imerit (PPD), që ishte një akt shokues që e rrënonte gjithë skemën bardh e zi për shqiptarët kooperues në pushtet, që synimet politike duan t’i realizojnë përmes sistemit dhe atyre që me mjete ushtarake duan ta bëjnë ndryshimin e statusin që nuk ndodhi për dhjetë vitet e pluralizmit shterp. Pavarësisht se terminologjinë që e përdornin institucionet shtetërore, mediat dhe partitë maqedonase për UÇK-në, e përdorën edhe përfaqësues ndërkombëtarë (që u shkonte për qejfi), në fund ky lloj i veprimit mori legjitimitet në Marrëveshjen e Ohrit, ku në masë të madhe u plotësuan synimet e shqiptarëve. Ky ishte një episod që flet për relativitetin e pagëzimeve terminologjike, sepse rrethanat shoqërore, politike në një shoqëri ose midis shteteve a popujve, varësisht nga raporti i tyre, sidomos nëse ndonjëra palë është në supremaci ndaj palës tjetër të nënshtruar, mund të çojë edhe në lëvizje me mjete të tjera (siç e definon Klauzevici luftën si vazhdimësi të politikës me mjete tjera).
Mirëpo, në përvojën dhe parimet universale, format e terrorizmit zakonisht i kërkojmë jo te aktet ndaj subjektivitetit shtetëror, politik ose ushtarake të ndonjë pale, por ndaj civilëve. Dhe, atë vit në Maqedoni nuk kaloi pa fenomenin. Sot e kësaj dite ka mbetur enigma për zhdukjen e rreth 15 civilëve, shqiptarë dhe maqedonas, që kanë mbetur në supozime, por jo të ndriçuar. Krahasuar kjo me vatra të tjera të krizës, ku pësojnë me mijëra civilë, siç ishte së fundmi rasti me shkatërrimet dhe vrasjet masive në Gazë, para ndërgjegjes së fjetur të bashkësisë impotente ndërkombëtare ndaj synimeve të Izraelit zhdukja e civilëve në Maqedoni mund të konsiderohet si një pasojë kolaterale në suaza të pritshme, sado që ato bien në krime lufte. Por, edhe vetë numri i viktimave në këtë konflikt për gjashtë muaj pati më pak se ndoshta në një ditë të sulmeve izraelite në Gaza!!!
Po atë vit, më ra rasti të merrja pjesë në një tubim pacifistësh nga mbarë bota që u mbajt në Gjermani dhe më kujtohet një palestinez (Arif Xhafal) i cili gjatë debatit, kur flitej për terrorizmin, insistonte që Hamasi të mos quhej organizatë terroriste. Ai mendonte se Hamasi është një forcë që ka lindur si revoltë e okupimit të territoreve palestineze dhe se lufta e saj është e drejtë.
Çështja është se synimin e popullit palestinez për liri dhe për të pasur një shtet funksional nuk mund ta vë në diskutim askush, por prej ndarjes së tij në vitin 1948 atë merr teposhtëza për shumë arsye, edhe pse shumë nga këto nuk i përkasin vetëm Izraelit. Mospajtimi me ndarjen e padrejtë (42,88 për qind palestinezëve dhe 56.47 për qind hebrenjve dhe 0.65 zonë ndërkombëtare) u pasua me një pakënaqësi të madhe dhe mospajtim me shtetin izraelit, me përkrahje të vëllazërisë arabe e myslimane, por që në dekadat në vijim do ta çojnë në paudhësi të plotë pas disa luftërave izraelito-arabe. Mosnjohja e ekzistimit të shtetit izraelit si realitet, për shkak të padrejtësisë nga gjithë bota arabe, e ushqyer edhe me shpjegime fetare se një ditë do ta shkatërrojnë shtetin hebre, ka pasuruar metodat e veprimit të tij, ku me rezistencë paqësore, ku me veprime ekstremiste të organizatave të shumta përskaj OÇP-së së Jaser Arafatit të matur, të cilën shteti hebre e ka trajtuar po ashtu si terroriste (pikërisht këtij “kryeterroristi” më vonë do t’i jepet Çmimi Nobël për paqe). Një nga këto episode tipike, por jo e vetmuar, ka qenë sulmi ndaj sportistëve izraelitë në Lojërat Olimpike nga organizata “Shtatori i zi” (një film të shkëlqyer për këtë ngjarje, “Munich”, e ka bërë Stiven Spilbergu i famshëm), që do të bëhet një sinonim i lëvizjes palestineze për kauzën e drejtë me mjete të gabuara. (Për kuriozitetin e lexuesve shqiptarë, një film të xhiruar shumë më herët se ky i Spilbergut, rolin e një “terroristi palestinez” në filmin “Black Sunday” po ashtuu kushtuar grupit “Shtatori i zi”, do ta luajë edhe Bekim Fehmiu ynë). Ky perceptim për lëvizjen palestineze si terroriste ka qenë dominues në dekada, gjë që e ka vështirësuar zgjidhjen e çështjes së Palestinës. Përpjekjet e forcave më të matura palestineze kanë dështuar pikërisht për shkak të presionit ose dhe vetë aktiviteteve të grupeve të shumta ekstremiste. Me efekt të kundërt: sa më të forta e më të shpeshta kanë qenë ato, aq më e vrazhdë ka qenë përgjigja izraelite me të gjitha forcat e mundshme, të lejuara e të palejuara.
Pa shkak-pasojë zor se mund të shpjegohet bota e konflikteve dhe pa dyshim se regjimi i hekurt i regjimeve izraelite e ka ushqyer këtë lloj ekstremizmi. Ai, madje, ka shkuar edhe në drejtim edhe më ekstrem dhe në kundërshtim edhe me parimet fetare, duke e lindur fenomenin e vetëflijuesve, që e kanë ushqyer disa ideologë ekstremistë fetarë. (Duhet thënë se edhe si shqiptarë nuk kursyem nga ky lloj ekstremizmi fetar, sepse nga radhët tona u rekrutuan luftëtarë për forca ekstremiste të fenomeneve si Al-Kaeda, ISIS, Al Nusra… duke shkuar ta sigurojnë parajsën e premtuar nga disa imamë që pastaj u gjetën këtu prapa grilave.)
Aksionet terroriste nëpër tregje, autobusë, objekte civile, shkolla, spitale, madje dhe nëpër objekte fetare, vetëm e kanë shtuar bindjen se ndonjë lëvizje që ka deklaruar ndonjë kauzë të vetën kombëtare ose fetare e devalvon qëllimin e drejtë. Pikërisht kohëve të fundit, kryetari Partisë Komuniste të Kurdistanit, Abdullah Oxhallan, deklaroi shformimin e kësaj force, e cila me dekada luftonte për Kurdistanin e lirë, pikërisht me format e sipërpëmendura ekstremiste/terroriste. Çështja kurde ka qenë një problem i mbetur dhe i pazgjidhur që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane, e cila veçmas është reflektuar si problem i brendshëm i Turqisë moderne (ka refleksione edhe në Irak dhe Siri), mirëpo metodat e veprimit terrorist (paksa edhe të inspiruara nga ideologjia komuniste), ku të shpeshtën kanë qenë cak civilët anembanë Turqisë, e kanë bërë të pamundur çfarëdo debati për status më të mirë të tyre. Dhe, thirrja e Oxhallanit është një kthjellje e vonuar dhe pranim i fajit për veprimet dhe metodat e gabuara, në vend se ndoshta rrugës institucionale për t’i shtruar kërkesat. Me këtë rrugën e dytë, ndoshta, shumë më mirë do ta kishin propaguar çështjen e tyre.
Një shembull që mund të hyjë në këtë kontekst është pikërisht IRA, e cila pas shumë dekadash aktesh terroriste, përmes krahut politik dhe një marrëveshjeje me qeverinë britanike, u fut në sistem dhe pushoi së vepruari forca që kishte ekzistuar që nga viti 1916, e që më vonë ishte multiplikuar kohë pas kohe.
Para pak javësh, njësoj si Oxhallani, pati edhe një reflektim nga niveli më i lartë i Hamasit. Një udhëheqës (Moussa Abu Marzouk) do të thotë se po të dinte se çfarë pasojash do të ketë për Rripin e Gazës, nuk do ta kishte përkrahur sulmin ndaj Izraelit! Në atë sulm të Hamasit, më 7 tetor 2023, kur u vranë mbi 1000 civilë izraelitë dhe qindra të tjerë u morën peng, i dha shkas Izraelit për ta shkatërruar një qytet të tërë dymilionësh, duke vrarë pa mëshirë rreth 50 mijë palestinezë, shumica civilë, në emër të luftimit të Hamasit si organizatë terroriste. Është vërtetë frustruese kur ke përballë një regjim të fortë që popullit tënd nuk i lë hapësirë të marrë frymë në tokën e vet, por pamaturia në veprime e metoda që i gjykon gjithë bota, çon në përgjigje ekstreme. Nuk besoj se ka ndonjë satisfaksion për Hamasin që e kanë shtyrë Netanjahun në masa ekstreme shkatërruese e të hyjë nën akuzat e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, përderisa e pëson populli yt, e atë s’ka kush ta çojë në bankën e të akuzuarve!
Për fat të keq, çështja e dhimbshme palestineze është në këtë gjendje edhe falë këtyre lëvizjeve grupesh ekstremiste, duke minuar edhe ato pak shanse për një shtet funksional, çfarë i janë ofruar në faza të mëhershme. Robërimi ndaj mitologjisë, që e ushqen ekstremizmin, në anën tjetër, ka bërë që gjenerata e gjenerata palestinezësh ta humbin ëndrrën e tyre për jetë normale në tokën e vet. Të kishin pasur vizion udhëheqësit palestinezë që ta pranonin realitetin ashtu si qe ndarë “toka e shenjtë” më 1948-tën, sot do të kishim një Palestinë shumë më të madhe seç i është ofruar dhe seç kanë qenë të gatshëm të pranojnë më vonë udhëheqësit e tyre!
Sa ekziston bota, do të ekzistojnë konfliktet dhe fenomenet shoqëruese të tyre. Për fat të keq, bota nuk ka mekanizëm të drejtë të parandalimit të shkaqeve e as të pasojave, për shkak se OKB-ja është nën kontrollin e fuqive që e kontrollojnë forcën, ndërsa forca shpesh di të jetë e padrejtë.