Hatri i Skënderbeut dhe i unitetit

Sado që mirënjohja ndaj Skënderbeut nuk luajti ndonjë rol që Europa të na shpëtojë nga copëtimi i Shqipërisë, nga masakrat që i përjetuan shqiptarët, dhe diskriminimin që vazhdojnë ta përjetojnë, le të themi se sikur mos të ishte evokimi i Skënderbeut si simbol i identitetit euro-perëndimor të shqiptarëve, gjendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të ishte edhe më keq. Kjo do të thotë se është e pamundur që ta heqim Skënderbeun si heroin qendror (ose të vetëm) kombëtar tonin. Por, njëkohësisht, duhet gjetur mënyra se si figura e tij të jetë më e pranueshme për të gjithë.
Rilind DAUTI, Shkup
Kur Skënderbeu u vendos në përdorim nga elita shqiptare e Rilindjes Kombëtare e çerekut të fundit të shekullit XIX, nuk është se ai ishte tërësisht i panjohur për popullin e thjeshtë, sepse, në fakt, ai ishte personazh i këngëve popullore e anekdotave, ku paraqitej si një njeri i urtë dhe mendjemprehtë, por edhe personazh i krenarisë lokale me vërtetësi të pakonfirmuar, p.sh. si edhe sot që në Pollog dhe Dërven ekzistojnë legjenda se Skënderbeu “ka qëndruar ose ka kaluar nëpër fshatin tonë”. Por, shumë më shumë se në Shqipërinë osmane, Skënderbeu kishte famë në Europë për merita në mbrojtjen që ia ka bërë asaj nga “hordhitë turke, otomane, aziatike, muslimane” ose “muhamedane”. Prandaj, në Europë shumë shpesh Skënderbeu ishte i paraqitur nëpër piktura, gravura, dhe letërsi.
Kur jemi te letërsia, nga rilindësit shqiptarë ajo u bë mjet për ngritjen e vetëdijes kombëtare, zakonisht duke e evokuar një të kaluar romantike krahasuar me kohën kur jetonin ata, ndërsa kjo e kaluar kryesisht identifikohej me Skënderbeun. Problemi me këtë shpjegim është se masat e gjëra të shqiptarëve nuk dinin “këndim” dhe shkrim, por edhe sikur të dinin, si mendon ta “zgjosh” kombëtarisht një shqiptar mesatar që shtetin osman e konsideronte sundues legjitim të Shqipërisë, përmes evokimit të figurës së Skënderbeut, një “murtedi” që ka luftuar kundër “dovletit tonë”?! Sado që rilindësit mund të theksonin aspekte të tjera të jetës së tij, qofshin të vërteta të thukëta, qofshin mite të plota, Skënderbeu – para së gjithash – njihet për rezistencën kundërosmane me motiv fetar, sado që episode nga jeta e tij ishin edhe luftërat kundër atyre me të cilën ndante të njëjtën fe: kundër fisnikëve të tjerë arbërorë, kundër Venedikut dhe në shërbim të dinastisë së Napolit kundër anzhuinëve.
Kështu që, shumë më shumë se për përdorim të brendshëm në drejtim të zgjimit kombëtar të shqiptarëve, motivi më i madh i theksimit të Skënderbeut nga rilindësit ishte krijimi i një identiteti kombëtar të përshtatshëm për përdorim të jashtëm para shteteve të Europës që vendosnin për fatin e të tjerëve, e ku Skënderbeu përbënte një mjet të propagandës së shqiptarëve ose asaj që sot quhet diplomaci publike, sado që shqiptarët ende nuk kishin shtet.
Megjithatë, ashtu si te përdorimi i brendshëm, edhe përpjekja e shfrytëzimit të figurës së Skënderbeut si mënyrë për ta fituar mbështetjen e Europës i kishte kontradiktat e veta.
E para, sepse Skënderbeu gëzonte respekt në Europë si luftëtar i shquar kundër depërtimit të muslimanëve, ndërsa vetë shqiptarët tashmë në shumicë ishin muslimanë. Për më tepër, realiteti demografik i Shqipërisë nuk ishte aspekti i vetëm se si kishin ndryshuar rrethanat ndër shekuj, që prej rezistencës epike antiosmane të Skënderbeut në shekullin XV, deri te raportet miqësore të shteteve europiane dhe Perandorisë Osmane në kapërcyellin e shekullit XX. Edhe pse aleancat e principatave të krishtera me osmanët datonin qysh në shekullin XIV, përfshirë dhe nga principatat arbërore, këto kishin natyrë oportuniste dhe ishin jetëshkurtër, por në shekullin XIX marrëdhëniet e shteteve europiane me osmanët ndërtoheshin në bazë të planeve strategjike afatgjata. Ndonëse urrejtja e paragjykimet ndërfetare kishin mbetur, tashmë ishte konsoliduar si përvojë që shtetet e krishtera europiane zhvillonin marrëdhënie të interesave të përbashkëta me osmanët, deri te luftimi krah për krah, si në rastin e Krimesë (1853-1856), ku ushtarët osmanë ishin vëllezër në armë me ushtarët francezë dhe me ushtarët britanikë që flamurin e kanë me tri kryqe në një (Union Jack).
Në vitin 1898, kur në Bukuresht Naim Frashëri e botoi poemën “Historia e Skënderbeut”, në kryeqytetin edhe më europian, siç është Berlini, tashmë ishin tretur trupat e ushtarëve muslimanë (përfshirë dhe shqiptarë) që Prusia i kishte rekrutuar si rezultat i marrëdhënieve të mira me osmanët, ndërsa tani që ishte krijuar Gjermania e unifikuar, më 1898 perandori gjerman Wilhelm II e zhvilloi vizitën e madhe protokollare në Perandorinë Osmane, ku në Damask u ndal te Tyrbeja e Salahudin Ejubit, që u pat rinovuar pikërisht me financimin e tij, dhe ku Kaiseri gjerman, me shqiponjë e kryq mbi kokë, shprehu respekt ndaj këtij udhëheqësi të madh musliman që kishte qenë protagonist i luftërave fetare mes muslimanëve dhe kryqtarëve. Po ashtu, disa luftëra të mëvonshme, që gjithashtu kanë konotacion fetar, janë luftërat austro-turke. Megjithatë, në kohën kur, p.sh., Çajupi ynë shkruante vargje për Skënderbeun e kundër sulltanit “të egër si ariu”, në kafenetë e Vjenës, që origjinën e kanë pikërisht nga kafeja e plaçkitur te çadrat osmane gjatë rrethimit të vitit 1683, austriakët e kapërcyellit të shekullit XX e pinin kafenë turke të pashqetësuar për rrezikun osman, me të cilin nuk kishin pasur problem që prej luftës së fundit austro-turke të viteve 1788-91 dhe tani vetë Austro-Hungaria e kishte interes jetik ruajtjen e status quo-së së sovranitetit osman në Ballkan.
Kështu që, sado që ekziston faktori fetar dhe përllogaritjet tjera, politika e jashtme e shteteve frymëzohet para së gjithash nga interesi. Prandaj, ishte naivitet i madh dhe pritje e dëshpëruar, që në kapërcyell të shekullit XX të presësh mbështetje nga Europa për hir të rezistencës që e ka bërë Skënderbeu në shekullin XV. Për shembull, fakti se bullgarët krenohen me atë që në vitin e largët 718 bullgarët, nën udhëheqjen e Hanit Tervel, i kanë mundur arabët gjatë rrethimit të Kostandinopojës dhe me këtë e kanë shpëtuar Europën, nuk luajti asnjë rol që në vitin 1878, Europa ta shfuqizojë Bullgarinë e Shën Stefanit dhe t’ua kthejë ato territore osmanëve, sepse një Bullgari e tillë e favorizonte Rusinë dhe binte ndesh me interesat e Fuqive të Mëdha të tjera. Por, nëse këto ishin ngjarje shumë larg mes vete, atëherë çfarë të themi për atë se si veproi Europa me polakët. Më saktë, fakti se ata nën udhëheqjen e mbretit Jan III Sobieski e thyen Rrethimin e Vjenës së vitit 1683, me çka e shpëtuan Austrinë dhe Europën nga osmanët, nuk pati aspak ndikim kur më pak se një shekull më vonë, në vitin 1772, austriakët i sakrifikuan vëllezërit katolikë polakë në copëtimin e Polonisë që e bënë bashkë me prusët protestantë dhe rusët ortodoksë. Ndërkaq më 1795, hatri i mbretit Jan III Sobieski nuk i parandaloi europianët e tjerë që ta fshijnë tërësisht Poloninë nga harta e Europës. Nga ana tjetër, subjektiviteti i Polonisë vazhdoi të njihej vetëm nga osmanët, ata që në vitin 1842 në Stamboll e lejuan themelimin e lagjes “Polonezkoj” të polakëve që u patën dhënë strehim.
Naivitetit të “hatrit të Skënderbeut” si shkas për mbështetjen e shpresuar nga Europa i shtohet fakti se mbështetja e pritur nga elita shqiptare nuk ishte aq e koncentruar kundër Perandorisë Osmane që po venitej, por kundër shteteve fqinje ortodokse, që kishin mbështetje shumë më të fortë në Europë dhe përmes të cilave shtetet e caktuara europiane gjithashtu i realizonin interesat e tyre. Dhe, në fakt, pikërisht përpjekja e shteteve ballkanike për t’i njollosur shqiptarët me faktin se janë muslimanë dhe me këtë për t’i legjitimuar pretendimet kundër Shqipërisë është një nga motivet e evokimit aq të madh të Skënderbeut, si nga rilindësit në shekullin XIX, si nga qarqet intelektuale dhe politike shqiptare edhe sot.
Skënderbeu si subjekt i përçarjes
Dhe, kjo na sjellë te raporti i sotëm i shqiptarëve me Skënderbeun. Sado që mirënjohja ndaj Skënderbeut nuk luajti ndonjë rol që Europa të na shpëtojë nga copëtimi i Shqipërisë, nga masakrat që i përjetuan shqiptarët, dhe diskriminimin që vazhdojnë ta përjetojnë, le të themi se sikur mos të ishte evokimi i Skënderbeut si simbol i identitetit euro-perëndimor të shqiptarëve, gjendja e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të ishte edhe më keq. Kjo do të thotë se është e pamundur që ta heqim Skënderbeun si heroin qendror (ose të vetëm) kombëtar tonin. Por, njëkohësisht, duhet gjetur mënyra se si figura e tij të jetë më e pranueshme për të gjithë, në vend se të jetë subjekt i mosmarrëveshjeve që e rrezikojnë homogjenitetin e kombit. Sepse, fatkeqësisht, sot Skënderbeu – në masë të madhe – është shndërruar në një figurë përçarëse në debatin publik midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme dhe të niveleve të ndryshme të devotshmërisë fetare. Në këtë drejtim, shumë shqiptarë të krishterë sot e theksojnë motivin fetar të luftës së tij, siç janë lidhjet me Vatikanin, kryqëzatën e planifikuar me Papën, titullin “Atlet i Krishtit”, e quajnë “kryqtari i fundit”, krijojnë foto e video ku Skënderbeu paraqitet me kryq, e deri te groteskja ku Skënderbeu paraqitet me kokat e hoxhallarëve shqiptarë të ngulura në shpatë. Ndërkaq, diçka më të butë, por prapëseprapë shumë cinikë, janë muslimanët jo aq praktikantë, kur e shfrytëzojnë Skënderbeun në luftën kulturore dhe identitare që e bëjnë me shqiptarët muslimanë tek të cilët feja luan rol të rëndësishëm në jetë dhe i formëson botëkuptimet e tyre. Përderisa nga pozita e ndjenjës së superioritet intelektual i godasin muslimanët praktikantë pse e kanë këtë ose atë qëndrim apo besim, vetë ata janë dogmatikë të skajshëm kur vjen puna te Skënderbeu dhe nuk duan t’u vendoset në pikëpyetje besimi që e kanë për të. Ndërsa te pala tjetër, pikërisht ky “adhurim” që i bëhet Skënderbeut, përfshirë dhe me terma blasfemikë “profeti” ose “kryezoti i shqiptarëve”, është një nga shkaqet e jashtme që krijon aq alergji ndaj tij tek shumica e muslimanëve të devotshëm. Ndërkaq një shkas tjetër është qasja e klasës politike shqiptare që e mbulon identitetin musliman të shqiptarëve dhe e thekson atë të krishterë, ku pikërisht Skënderbeu është figura qendrore e asaj qasjeje. Dhe, ndjenja se Skënderbeun po na e çojnë ta gëlltisim me zor nëpër fyt, pastaj e ka nxitur instinktin e vjelljes, me gjëra si: theksimin e faktit se Skënderbeu pranoi vasalitet, pra nënshtrim, ndaj Napolit; përmendja e identitetit të supozuar sllav të Vojsavës dhe emrave serbë (Stanisha, Reposh) të vëllezërve të tij dhe marrjen e kësaj si argument që Skënderbeu ishte serb; të quajturit të bustit të Skënderbeut si “kali”; përpjekja për rehabilitim të Hamza Kastriotit ose, madje, për t’i bindur njerëzit se ky është heroi i vërtetë për shqiptarët muslimanë; deri te refuzimi i flamurit kombëtar shqiptar, duke e zëvendësuar me flamurin që thuhet se osmanët ua dhanë shqiptarëve muslimanë për anijet e tyre tregtare.
Por, ky “reagim alergjik” nuk vjen vetëm nga ndjenja e teprimit me Skënderbeun nga subjektet e tjera dhe shfrytëzimi i figurës së tij në debate identitare dhe fetare, por faktori subjektiv i theksimit të asaj ane të figurës së Skënderbeut kombinohet me faktorin objektiv të mënyrës se si shumë muslimanë e perceptojnë botën. Më saktë, përderisa Skënderbeu paska luftuar për ta mbrojtur Europën e krishterë nga osmanët muslimanë, atëherë përse ta merr si hero dikush që ka bindjen se ekspansionet osmane ishin të motivuara nga “shpërndarja e drejtësisë” dhe largimit të pengesave në shpërndarjen e thirrjes në Islam në kohërat kur shumica e shteteve nuk kishin liri fetare. Dhe, kësaj i shtohet dimensioni i sotëm kur shumë muslimanë ndjehen të kompleksuar nga krahasimi me shtetet më të përparuara perëndimore dhe janë të frustruar nga ajo që e konsiderojnë ndikim negativ nga jashtë, ndërsa Perandoria Osmane për ta përbën një të kaluar romantike, që dëshmon se si mund të ngritet qytetërim pa hequr dorë nga feja islame. Dhe, kësaj krenarie të aspektit qytetërimor i shtohet dimensioni i pastër politik, gjegjësisht sot kur shumë muslimanë e shohin pafuqinë e shteteve muslimane për t’i bërë ballë shtypjes e agresioneve nga të tjerët, Perandoria Osmane është kthim në një të kaluar më të ,mirë që është relativisht e afërt, si shteti i fundit që e mishëronte një vitalitet më të madh politik të muslimanëve.
Kështu që, nga këta faktorë, fitohet përshtypja se është krijuar një çarje e pakapërcyeshme me Skënderbeun, aq sa më mirë do të ishte sikur të hiqet Skënderbeu nga identiteti kombëtar shqiptar kur dihet se identitetet kombëtare nuk janë të gdhendura në gurë, por janë fluide dhe mund të përditësohen. Megjithatë, kjo është joreale të ndodhë me pozitën e Skënderbeut në identitetin kombëtar shqiptar, jo vetëm për shkak të imazhit para Perëndimit si kundërpropagandë ndaj fqinjëve tanë, për të cilin imazh kujdesen politikanët dhe intelektualët e kompleksuar shqiptarë, por edhe për shkak të respektit të sinqertë që e kanë për Skënderbeun masat e gjera të shqiptarëve. Prandaj, përmes metodës krahasuese nga përvojat e popujve të tjerë, do të përpiqemi të dëshmojmë se prapëseprapë është e mundur që, për hir të unitetit të shqiptarëve, Skënderbeu të mbetet sado i pranueshëm edhe për shqiptarët e devotshëm në besimin islam, në vend se kontestimi i tij të bëhet shkas për përçarje dhe dëmtim të reputacionit të besimtarëve praktikantë (ani pse, nëse jo për mosrespektimin e Skënderbeut, do të kapen diku tjetër për t’i goditur shqiptarët e besimit islam, por ajo është temë tjetër).
Sfida më e madhe për ta arritur atë pranueshmëri është incidenti i Skënderbeut menjëherë pas kthimit në Arbëri, ku gjeti kolonë aziatikë, madje edhe arbërorë muslimanë, të cilëve u dha ultimatum që të kalojnë në Krishterim, gjë që shumica e refuzuan, andaj Skënderbeu i masakroi.
Asnjë përpjekje për relativizim të kësaj ngjarjeje nuk e zbut shijen e hidhur. Dikush mund ta përmendë se Skënderbeu këtë e ka bërë për shkak të mosbindjes ndaj tij dhe se ai ka likuiduar edhe fisnikë arbërorë, që i ndjente si jobesnikë dhe, në fund të fundit, “Skënderbeu me siguri s’ka vrarë aq shumë njerëz sa sulltanët kundër të cilëve ka luftuar”. Të gjitha mund të jenë të vërteta, por asgjë nuk e ndryshon faktin se Skënderbeu bëri masakër ndaj muslimanëve pasi u dha ultimatum që të zgjedhin mes Krishterimit dhe vdekjes.
Si kundërpeshë e masakrës me motiv fetar të Skënderbeut mund të qëndrojë ajo që hero kombëtar i shqiptarëve nuk është Skënderbeu që i masakroi muslimanët pse refuzuan të bëjnë mosbesim, qoftë dhe vetëm me fjalë sa për ta shpëtuar jetën, por një Skënderbe “pëllumb” ose “engjëll”, siç e quante Naim Frashëri (që mos të harrojmë se ka shkruar vargje lavdëruese edhe për Profetin Muhamed). Hero kombëtar nuk është Skënderbeu që ka bërë masakër me motiv fetar, por Skënderbeu që Rexhep Qosja e quan “fetarisht tolerant, kur e kur ndoshta indiferent ndaj fesë”, e që, madje, sipas Qoses, këtë tolerancë e ka mësuar pikërisht nga osmanët! “Perandoria Osmane, sidomos në shekujt e saj të parë dhe në kohën kur kishte jetuar Skënderbeu, ishte një perandori tolerante ndaj feve. Mund të besohet se kjo tolerancë do të jetë një mësim të cilin Skënderbeu nuk do ta harrojë kur të kthehet në Atdhe.”
Shembuj nga të tjerët
Një arsye tjetër përse masakra e Skënderbeut kundër arbërorëve muslimanë mos të jetë shkas për refuzim të tërësishëm të Skënderbeut na e sjellë metoda komparative, duke marrë shembull egjiptianët e sotëm muslimanë, të cilët krenohen me Egjiptin e lashtë, sado që kjo krenari përfshin vizatime, shtatore e ndërtime ku glorifikohet shirku dhe faraoni, zullumet e të cilit ndaj besimit dhe besimdrejtëve përmenden në Kur’an. Po ashtu, përgjegjëse kryesore e lidhjeve me botën të Egjiptit modern i ka kompania shtetërore e fluturimeve që simbol të vetin e ka Horusin, perëndinë egjiptiane të qiellit! Pra, një simbol të shirkut e kanë zhveshur nga konotacionet fetare dhe sot ai është simbol i shfrytëzuar nga Egjipti që e ka fe zyrtare Islamin dhe nuk mund të imagjinohet që krenaria me trashëgiminë e Egjiptit të lashtë dhe shfrytëzimi i simboleve të tyre nga egjiptianët e sotëm të jetë bërë pa miratimin e dijetarëve të mëdhenj të Ez’herit.
Kjo na sjellë edhe te një arsye: përse, nëse jo Skënderbeu, atëherë mos të preket çështja e flamurit kombëtar shqiptar që i atribuohet Skënderbeut dhe simbolet tjera ku është helmeta e Skënderbeut?! Sepse, përderisa masakra e Skënderbeut kundër arbërorëve muslimanë është incident vështirë për t’u kapërdirë, në Islam shirku është mëkat edhe më i madh se vrasja. Në këtë drejtim, përpos shembullit të lartpërmendur nga Egjipti, kemi edhe raste tjera nga bota islame ku simbolet e dikurshme politeiste sot shfrytëzohen si simbole shekullare kombëtare. Për shembull, shqiponja “Garuda” në stemën e Indonezisë ka origjinë hinduse. Madje, edhe gjysmëhëna dhe ylli, që sot konsiderohen si simbole të Islamit, origjinën e kanë politeiste. Një nga shtetet muslimane ku gjendet ky simbol është Republika Islamike e Pakistanit, ku e gjelbra është për Islamin, kurse e bardha i simbolizon religjionet tjera. Pra, jo mosbesimin e dikurshëm, por atë të sotëm!
Megjithatë, përpos moskontestimit të simboleve që origjinën ia atribuojnë Skënderbeut, ka një mënyrë që aspekte të vetë personalitetit të Skënderbeut të përvetësohen nga shqiptarët muslimanë, sado që e glorifikojnë Perandorinë Osmane. Sepse, te vetë sulltan Mehmedi II e kemi rastin e përvetësimit të titullit “Kayser-i Rum” (Perandori i Romës), pasi ai e mposhti Bizantin dhe aspekte tjera të përvetësimit të trashëgimisë së Bizantit nga osmanët. Kështu që, Skënderbeu – si një kundërshtar i denjë i sulltanit që e mori Stambollin – pa dyshim se meriton që aspekte të tij të respektohen dhe përvetësohen nga një shqiptar i sotëm që identifikohet me Perandorinë Osmane. Para së gjithash, aspekti i Skënderbeut si strateg ushtarak i pakontestueshëm.
Le ta shohim shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fluturaket ushtarake i emëron sipas fiseve vendase, si Apache, Chinook, Black Hawk, Lakota… Kjo traditë vjen nga përvoja e luftërave të SHBA-së me indianët vendas dhe qëllimi i emërtimeve të tilla ishte që te pajisjet ushtarake amerikane të evokohet shpirti luftarak dhe taktikat e fiseve indiane, ani pse pikërisht ato fise SHBA-ja i ka luftuar dhe nënshtruar! Ngjashëm mund të bëhet edhe me figurën e Skënderbeut. Pasi që osmanët e nënshtruan Arbërinë dhe u bënë shkak i transformimit rrënjësor nga arbërorët e krishterë tek shqiptarët e sotëm muslimanë, një shqiptar i tillë, që është krenar dhe këmbëngulës në fenë e tij islame dhe trashëgiminë osmane, mund ta përvetësojë shpirtin luftarak të Skënderbeut, duke marrë mësim nga taktikat që ai i ka përdorur. Dhe, nëse këto shkathtësi Skënderbeu i ka shfrytëzuar kundër osmanlinjve, që paskan qenë në të drejtë gjatë ekspansionit të tyre, shpirtin luftarak të Skënderbeut le ta evokojë si frymëzim për përgatitje në rast se nevojitet kundër fqinjëve ortodoksë, të cilët nga viti 1877 e deri më 1913 kanë pushtuar pjesë të shumta të Shqipërisë dhe vazhdojnë të kenë pretendime për të na marrë edhe më shumë!
Dhe, për fund, ta shohim edhe shembullin e europianëve tek të cilët Krishterimi ka luajtur rol të rëndësishëm identitar, siç janë shtetet skandinave me kryqin nordik dhe tiparet e tjera. Nëse në shekullin XIX shqiptarët e kishin romantizmin letrar te koha e Skënderbeut, tek skandinavët romantizmi ishte epoka e vikingëve. Pra, skandinavët, tashmë të krishterë, i romantizonin vikingët paganë të mesjetës, që shquhen për zullume të skajshme ndaj të krishterëve: vrasje të murgjve, plaçkitje të manastireve, i përdhosnin eshtrat e shenjtorëve, i skllavëronin të gjallët, dhe madje, shumë kohë para osmanëve pikërisht vikingët e patën rrethuar Kostandinopojën. Një romantizim i vikingëve vazhdon edhe sot në epokën e internetit, ndërsa nga kultura e internetit bashkëkohor është edhe rikthimi i shumë të rinjve europianë të dëshpëruar nga multikulturalizmi dhe rrënimi i vlerave tradicionale tek e kaluara e lavdishme e Perandorisë Romake, ani pse në periudhën e hershme romakët shquheshin për persekutimin e ashpër të të krishterëve. Madje, edhe ne i kemi “pellazgo-ilirët” tanë, muslimanë e të krishterë, që krenohen me perandorin romak me prejardhje romake, Dioklecianin, nën të cilin vrasja dhe shtypja e të krishterëve e arriti kulmin.
Kjo temë mbi Skënderbeun nuk mund të mbyllet me kaq, sepse, edhe për hatrin e Skënderbeut para të huajve, edhe për hatrin e unitetit brenda ne shqiptarëve, ka edhe shumëçka mund të shkruhet dhe s’ka dyshim se kundër kësaj që është thënë dikush mund të dalë me shumë argumente bindëse. Por, debati le të bëhet me respekt të ndërsjellë si njerëz dhe, mbi të gjitha, me “nijetin” e pastër të kërkimit të asaj që është më e dobishme për shqiptarët!